Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, sot, më 9 shtator 2026 e priti në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski dhe Zëvendësministrin Astrit Iseni. Vizita e Ministrit Toshkovski ishte e para në Universitetin e Tetovës dhe në fokus të takimit ishte avancimi i bashkëpunimit institucional, me theks të veçantë në krijimin e mundësive profesionale dhe të punësimit për studentët e diplomuar në programin studimor Kriminalistikë.

Në takim Rektori ishte i shoqëruar nga Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Sekretari i Përgjithshëm, Adem Beadini, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli dhe shefi i programit studimor Kriminalistikë, Prof. Dr. Shaban Jakupi.

Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e falënderoi Ministrin Toshkovski për vizitën dhe e njohu atë me historikun e Universitetit të Tetovës, zhvillimin e tij ndër vite, veprimtarinë arsimore e shkencore, si dhe zhvillimet më të fundit në Universitet. Ai u ndal edhe në procesin e regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027, përfshirë regjistrimet në programin studimor Kriminalistikë, i cili funksionon në kuadër të Fakultetit Juridik.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara gjatë takimit ishte mundësia e formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi. Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë që studentëve të diplomuar në Kriminalistikë t’u krijohen perspektiva konkrete për punësim dhe angazhim profesional në dikasteret përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

U diskutua që në të ardhmen të krijohen ekipe të përbashkëta pune nga Universiteti i Tetovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat do të punojnë në përcaktimin e modaliteteve të bashkëpunimit, si dhe në identifikimin dhe përzgjedhjen e studentëve të dalluar të Kriminalistikës, të cilëve do t’u krijohen mundësi për t’u përfshirë profesionalisht në strukturat përkatëse të MPB-së.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se një bashkëpunim i tillë do të krijonte një lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet arsimit universitar dhe nevojave të institucioneve shtetërore, duke u mundësuar studentëve që njohuritë teorike dhe praktike të fituara gjatë studimeve t’i vënë në funksion të profesionit të tyre.

Njëkohësisht, bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për ngritjen e mëtejshme profesionale të kuadrove të reja në fushën e kriminalistikës dhe për krijimin e perspektivave më të mira për studentët pas përfundimit të studimeve.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme shprehën gatishmërinë që komunikimi ndërinstitucional të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me synim konkretizimin e çështjeve të diskutuara dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.