//UT organizoi pritje solemne me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

UT organizoi pritje solemne me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

2019-10-01T20:20:30+00:00 Tetor 01, 2019|
Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/2020, Universiteti i Tetovës organizoi pritje solemne për të gjithë studentët. Rektori i Universitetit të Tetovës. Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij drejtuar studentëve, duke iu uruar një vit të mbarë e të suksesshëm, u shpreh se është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku ta fillojnë betejën më të bukur jetësore – betejën e diturisë. “Është nder dhe kënaqësi e veçantë që të ju drejtohem me fjalë rasti në ditën e parë të vitit akademik 2019/2020, të ju uroj mirëseardhje studentëve të rinj dhe studentëve të tjerë që i fillojnë studimet në programet studimore të fakulteteve të universitetit tonë. Sot, ne të gjithë së bashku, profesorë dhe studentë e fillojmë edhe një betejë të bukur jetësore – betejën për dituri. Arsimimi i mirëfilltë dhe kërkimi shkencor janë objektivat kryesorë që synon t’i plotësojë çdo universitet serioz dhe, në këtë aspekt Universiteti i Tetovës e ka dëshmuar vetën se ka kapacitetet e duhura për të arsimuar breza të tërë studentësh, të përgatitur dhe të gatshëm për të kontribuar në të gjitha fushat. Është e rëndësishme ta theksojmë se universiteti ynë, me profesorët e tij dhe pjesën më vitale – studentët, kanë kontribuar fuqishëm në zhvillimin, përparimin dhe ndryshimet kolosale që janë bërë në vendin tonë dhe më gjerë. UT, përpos misionit të edukimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor, ka meritat dhe kontributin e tij të pamohueshëm në të gjitha proceset përparimtare, strategjinë dhe zhvillimet e suksesshme gjithëkombëtare. Ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe, tashmë është bërë një qendër e rëndësishme kombëtare dhe rajonale sa i takon bashkëpunimit universitar, shkëmbimeve me karakter kërkimor – shkencor dhe debatit e ideve që promovojnë vlerat akademike dhe ato të qytetarisë evropiane dhe perëndimore”, u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektor i UT-së.
Mes tjerash, ai tha se udhëheqësia e Universitetit ka bërë të pamundurën që institucioni ynë të përfshihet në projektet zhvillimore, akademike e shkencore, në kuadrin e projekteve evropiane të arsimit të lartë, projekte që mbi të gjitha targetojnë zhvillimin e stafit akademik, mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, aplikimin e standardeve evropiane të cilësisë dhe organizimin e konferencave dhe kongreseve shkencore ndërkombëtare. “Sot, ne, jetojmë në kohën e zhvillimeve të hovshme globale, jemi pjesë e një shoqërie që bën jetë dinamike, prandaj jemi të detyruar t’u përgjigjemi këtyre sfidave të paraqitura nga globalizimi. Përgjigjja më e mirë ndaj këtij trendi sigurisht është ndërkombëtarizimi i Universitetit. Ndërkombëtarizimi i UT-së është një realitetet për të gjithë, sepse jemi nga të paktët universitete që gëzojmë mbështetje të fuqishme, bashkëpunim të frytshëm me universitete prestigjioze, si nga rajoni, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. UT i ka kushtuar vëmendje të posaçme këtij procesi, me qëllim përmirësimin e programeve të studimit dhe procesit akademik, konform standardeve perëndimore, si dhe zhvillimit të stafit akademik dhe kërkimit shkencor. Krahas ndërkombëtarizimit si prioritet, ne kemi punuar në bashkërendimin e agjendës akademike me universitetet shqiptare, sidomos me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës. Strategjia e bashkëpunimit ka rezultuar tejet e suksesshme, ndaj sukseset në Universitetin tonë nuk kanë munguar, përkrahja, mbështetja, besimi ndaj kësaj vatre të diturisë nuk është zbehur asnjëherë, prandaj të rinjtë tanë kanë zgjedhur të studiojnë në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, dhe me shumë të drejtë qytetarët shqiptarë tek UT shohin qendrën, bazën e përparimit arsimor, shkencor dhe kulturor. Oferta arsimore – shkencore e Universitetit të Tetovës, kushtet bashkëkohore të studimit, prestigji ndërkombëtar, pjesëmarrja aktive në programet ndërkombëtare të arsimit të lartë, bursat për ekselentët e dhjetëra e dhjetëra lehtësime të tjera, i nxitën, i motivuan mijëra të rinj që përmes sistemit online të aplikojnë dhe regjistrohen në programet studimore që ne ofrojmë për vitin akademik 2019 / 2020”, shtoi mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në ceremoninë solemne të pritjes së studentëve u ndanë edhe indexat e parë për studentët e rinj nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndërsa ceremonia u përmbyll me një pikë artistike të përgatitur nga profesor Shkëlzen Baftijari dhe Elhan Memishi, student i vitit të katërt në programin studimor Art muzikor.

Zyra për Informim