Zëvendësdekani për Shkencë i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Erhan Sulejmani, ka përmbyllur një vizitë studimore dyjavore në Republikën Popullore të Kinës, ku mori pjesë në seminarin ndërkombëtar “Përmirësimi i Kapaciteteve të Promovimit të Investimeve për Vendet e Brezit dhe Rrugës”. Aktiviteti u mbajt prej 2 deri më 15 prill 2026 dhe u organizua nga Akademia AIBO pranë Ministrisë së Tregtisë së Kinës (MOFCOM).

Gjatë qëndrimit në qytetet kryesore si Pekini, Hangzhou dhe Yiwu, Prof. Dr. Erhan Sulejmani u njoh me praktikat e avancuara të modernizimit kinez, të fokusuara në inovacion dhe zhvillim. Një nga momentet kyçe të vizitës ishte ndalesa në selinë e kompanisë teknologjike Zhejiang Dahua Technology, ku iu prezantua koncepti i “Smart Classroom” (klasat inteligjente). Ky sistem përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale për monitorimin e pjesëmarrjes dhe teknologjive IoT për menaxhimin efikas të mjediseve akademike, duke paraqitur potencial të madh për zbatim edhe në Universitetin e Tetovës.

Vizita në Yiwu, e njohur si një nga qendrat më të mëdha të tregtisë globale, ofroi një pasqyrë të zhvillimit të logjistikës inteligjente dhe rrjeteve ndërkombëtare të tregtisë. Ai e vizitoi gjithashtu fshatin Lizu, një shembull i suksesshëm i transformimit rural, i cili nga një zonë e pazhvilluar është kthyer në një qendër të rëndësishme kulturore dhe inovative për sipërmarrësit e rinj.

Prof. Dr. Erhan Sulejmani thekson se Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht me institucionet kineze, në fusha si bujqësia digjitale dhe transferimi i teknologjisë.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përputhet me vizionin e Iniciativës “Brezi dhe Rruga” për ndërtimin e lidhjeve më të forta përmes arsimit, shkencës dhe zhvillimit ekonomik.