Universiteti i Tetovës e mirëpriti në vizitë profesorin amerikan Jim Lofton nga Universiteti “Washington and Lee”, një personalitet me përvojë të gjatë në sistemin juridik federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita u realizua në kabinetin e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili e vlerësoi lart bashkëpunimin  institucional me partnerët ndërkombëtarë dhe  shkëmbimin e përvojave në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

Takimi midis Rektorit, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe profesorit Lofton u zhvillua në atmosferë miqësore, ku u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën juridike, zhvillimin e programeve praktike për studentët dhe avancimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Me këtë rast u potencua se Universiteti i Tetovës është i hapur ndaj iniciativave që krijojnë ura komunikimi me universitetet dhe institucionet prestigjioze ndërkombëtare.

Në kuadër të kësaj vizite, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së edukimit praktik juridik dhe ndërtimit të një kulture profesionale të argumentimit, etikës dhe debatit juridik. U theksua se programet e simulimeve gjyqësore ndihmojnë studentët në zhvillimin e aftësive analitike dhe profesionale, duke i përgatitur ata për sfidat reale të sistemit gjyqësor dhe administrativ në vend.

Në fokus të  takimit ishte edhe përgjegjësia shoqërore e institucioneve akademike dhe roli i universiteteve në promovimin e vlerave qytetare, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. U vlerësua se universitetet moderne nuk janë vetëm qendra të dijes, por edhe institucione që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e vetëdijes shoqërore dhe demokratike.

Profesor Jim Lofton është një emër i njohur në qarqet juridike amerikane. Ai ka shërbyer për më shumë se 27 vjet si avokat në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve, ku ka trajtuar raste komplekse federale dhe çështje me rëndësi të veçantë institucionale. Në vazhdim të karrierës së tij, ai ka ushtruar detyrën e Ndihmës-Kryekëshilltarit për Aeroportet dhe të Drejtën Mjedisore në Administratën Federale të Aviacionit (FAA), duke udhëhequr trajnime profesionale për qindra juristë dhe ekspertë të administratës federale amerikane.

Përvoja e tij në fushën e së drejtës ambientale, aviacionit dhe avokatisë praktike është reflektuar edhe gjatë aktiviteteve të organizuara në Universitetin e Tetovës, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësi të ndjekin ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe simulime gjyqësore (“mock trial”), të cilat tashmë janë shndërruar në një komponent të rëndësishëm të përgatitjes praktike të studentëve të Fakultetit Juridik.

Mbështetje të veçantë për realizimin e kësaj vizite dhe aktiviteteve akademike ofroi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, e cila mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e bashkëpunimit akademik, avancimin e kulturës juridike dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve arsimore amerikane dhe universiteteve në vend.