Studentët e vitit të tretë të drejtimit Arkitekturë të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara (UT), në kuadër të lëndës “Konstruksione arkitektonike 3B”, më 15 prill 2026, realizuan një vizitë studimore në fabrikën “Knauf” në qytetin e Dibrës, si dhe në minierën që e furnizon këtë fabrikë.

Vizita u organizua me qëllim që studentët të njihen me proceset reale të prodhimit të materialeve ndërtimore, duke përfshirë nxjerrjen e lëndës së parë, përpunimin dhe aplikimin e saj në industrinë e ndërtimit. Përmes kësaj eksperience, ata patën mundësinë të thellojnë njohuritë teorike të fituara gjatë ligjëratave dhe t’i krahasojnë drejtpërdrejt me praktikën profesionale.

Grupi i studentëve u udhëhoq nga asistentët Islam Imeri dhe Albin Haliti, të cilët kontribuuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj vizite studimore.

Universiteti i Tetovës promovon aktivitete të tilla, duke kontribuuar në zhvillimin profesional dhe të studentëve. Vizita të këtij lloji përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së gjeneratave të reja të arkitektëve, duke i afruar ata me realitetin e profesionit dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.