Instituti Alb-Shkenca, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin e Tiranës, e organizoi Takimin Jubilar të XX-të Ndërkombëtar me temë: “Kontributi i diasporës shkencore për integrimin në hapësirën evropiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë gjithëshqiptar”.

Si pjesëmarrës në këtë takim jubilar, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, theksoi rëndësinë e diasporës shkencore si një urë lidhëse mes universiteteve dhe qendrave kërkimore shqiptare me ato evropiane. “Përvoja dhe dija e shkencëtarëve tanë jashtë vendit na ndihmojnë që institucionet tona të integrohen më shpejt në standardet evropiane, duke u bërë më konkurruese dhe më të përfshira në projekte ndërkombëtare. Ky bashkëpunim është jo vetëm i domosdoshëm për shkencën, por edhe një kontribut për afirmimin e identitetit tonë kulturor e kombëtar në Evropë”, u shpreh  Rektori i UT-së.

Takimi jubilar vijoi me seancën plenare dhe punimet në tre panele shkencore, ku u diskutuan tema mbi rolin e diasporës në arsimin e lartë, mbështetjen e institucioneve kërkimore për prioritetet e zhvillimit dhe sfidat e albanologjisë në shekullin XXI.