Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, e pritën në takim zyrtar Rektorin e Universitetit “Nexhmedin Erbakan” Prof. Dr. Xhem Zorlu, bashkë me Prof. Dr. Firat Yaldiz – koordinator i përgjithshëm për çështje ndërkombëtare, si dhe drejtorin e shkollave ndërkombëtare “Maarif” në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Osman Demirgül.

Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh që lidhen me arsimin e lartë, sfidat bashkëkohore dhe pritshmëritë ndaj së ardhmes. Palët theksuan rëndësinë e qasjes së universiteteve në afirmimin e vlerave moderne akademike, rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, si dhe forcimin e dimensionit ndërkombëtar të arsimit të lartë.

Në fokus të veçantë ishte mundësia e këmbimit të studentëve dhe të stafit akademik, bashkëpunimi në fushën e botimeve shkencore dhe publikimi i punimeve të profesorëve në revista dhe gazeta ndërkombëtare. Po ashtu, u diskutua për organizimin e vizitave të ndërsjella akademike dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy universiteteve.

Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin ndëruniversitar dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt realizimit të iniciativave të përbashkëta në dobi të studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të arsimit të lartë në përgjithësi.