//Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Lëvizja Anti – bixhoz organizuan debat publik për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit

Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Lëvizja Anti – bixhoz organizuan debat publik për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit

2019-03-01T14:35:17+00:00 Mars 01, 2019|
Debati i sotëm publik për propozimin dhe ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit i organizuar nga Fakulteti Juridik dhe Lëvizja Anti – bixhoz, kryesisht u fokusua në domosdoshmërinë e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për lojërat e fatit. Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, tha se debati i sotëm lidhur me Ligjin për lojërat e fatit flet qartë për gatishmërinë e Fakultetit Juridik për ta vënë në shërbim tërë kapacitetin dhe potencialin intelektual për të bashkëpunuar me Lëvizjen Anti – bixhoz. Profesorët e Fakultetit Juridik do t’i ndihmojnë Lëvizjes Anti – bixhoz, që të largohet sa më parë kjo e keqe e shoqërisë sonë, d.m.th. kazinotë dhe bastoret sportive të zhvendosen jashtë qyteteve. “Sipas të dhënave, vetëm në qytetin e Tetovës kemi më shumë se 37 kazino si dhe një numër të madh të bastoreve sportive. Qëllimi ynë është që këto kazino dhe bastore t’i largojmë nga vendbanimet tona në vijë ajrore 3 km”, u shpreh Prof. Dr. Qebir Avziu.
Ndërsa, sipas kryetarit të Lëvizjes Anti – bixhoz, Xhemal Abdiu, debati i sotëm e vërteton faktin, të cilin ata shumë shpesh e kanë potencuar, se Lëvizja Anti – bixhoz nuk janë vetëm ata, por pas tyre qëndron populli, qëndrojnë ekspertët si dhe profesorët e Fakultetit Juridik. “Ne besojmë shumë se kërkesat tona do të inkorporohen në Ligjin për lojërat e fatit, kërkesa të cilat janë të njohura për të gjithë opinionin dhe besojmë se qëllimi ynë do të arrihet. Çështjet për të cilat ne insistojmë në këtë Propozim-ligj është distanca 3 km larg vendbanimeve si dhe të jenë po ashtu larg qendrave të qytetit dhe objekteve fetare”, tha Abdiu.
Debati i sotëm pati qasje juridike, për të cilin u shprehën profesorët e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Bashkim Selmani, Prof. Dr. Arta Bilalli, Prof. Dr. Afrim Osmani, si dhe qasje psikologjike rreth të cilës foli Prof. Dr. Musa Musai.
Sipas pjesëmarrësve në debat, qëllimi kryesor i të gjithëve është që kërkesat e tyre të inkorporohen në Propozim-ligjin për lojërat e fatit.
Zyra për Informim