//Fakulteti Juridik i UT-së shënoi 9 majin, Ditën e Evropës

Fakulteti Juridik i UT-së shënoi 9 majin, Ditën e Evropës

2018-05-18T16:10:16+00:00 Maj 13, 2018|
Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, organizoi një panel diskutimi. Panelistët folën për rëndësinë e kësaj dite si dhe rëndësinë e integrimit sa më të shpejtë të vendit tonë në këto struktura. Organizatori i këtij paneli diskutimi, Prof. Dr. Bashkim Selmani, tha se Fakulteti Juridik gjithmonë di të organizojë dhe t’i përkujtojë vlerat e kombit shqiptar. “Është fakt se historiku i Evropës në zhvillimin e saj dhe në dramën e saj historike faktikisht bëri që shqiptarët të viktimizohen dhe të copëzohen në shumë shtete. Gjegjësisht shqiptarëve vazhdohet t’u bëhet padrejtësi për vetë faktin se të gjitha shtetet që pranohen në BE pa asnjë kushtëzim janë pranuar, ndërsa shqiptarët edhe pse dhanë shumë për Evropën kryekëput u kushtëzuan edhe me dhënien e territorit siç ishte kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi” , theksoi Prof. Dr. Bashkim Selmani.

Ndërsa prodekani për arsim i Fakultetit Juridik, Doc. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij tha se Bashkimi Evropian në tërësi paraqet një diversitet kulturor, gjuhësor, si dhe bashkim politik dhe ekonomik. “Edhe ne si popull dhe vend jemi pjesë e kontinentit evropian dhe duhet të jemi të bashkuar për të funksionuar si një tërësi me vlera dhe standarde të përbashkëta me popujt dhe vendet e tjera të BE-së. Ëndrra jonë në raport me BE-në është që ne të jemi anëtare të saj, të kemi zhvillim ekonomik, siguri si dhe të respektojmë diversitetet” – theksoi Doc. Dr. Jusuf Zejneli.

Prof. Dr. Ylber Sela elaboroi në pika të shkurta idenë e krijimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Evropa e Bashkuar u ndërtua duke u bazuar në filozofinë e re pas Luftës së Dytë Botërore. “ Filozofisë “Kurrë me luftë dhe kurrë me skamje në Evropë” , i prinë me idetë e tyre për të ndërtuar Evropën e së ardhmes, Çerçili, Zhan Mone etj, të cilët u konkretizuan me deklaratën e Robert Shumanit për të krijuar Bashkësinë Evropiane për thëngjill dhe çelik”, theksoi Prof. Dr. Ylber Sela.

Ndërsa Doc. Dr. Bujar Ahmedi u shpreh se kërkesat që u drejtohen autoriteteve tona nga Bashkimi Evropian për një reformë të mirëfilltë janë funksionimi i shtetit demokratik, një administratë efikase në shërbim të qytetarëve, një gjyqësi e pavarur, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, një ekonomi e lirë e tregut. “Këto janë disa nga sfidat nëpër të cilat duhet të lëvizë vendi ynë. Ne besojmë se kompromisi me Greqinë e sjell Evropën më afër nesh, besojmë se Bashkimi Evropian ka nevojë për Maqedoninë, besojmë se Maqedonia ka nevojë për Evropën, prandaj duhet të punojmë të gjithë në këtë drejtim”, tha Doc. Dr. Bujar Ahmedi.

Gjatë këtij paneli u theksua se rruga e Maqedonisë është Evropa dhe asnjë alternativë tjetër nuk shtrohet përveç kësaj.