Me respektimin e masave mbrojtëse nga Covid-19 dhe duke i zbatuar në përpikëri protokollet e rekomanduara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Shëndetësisë, Universiteti i Tetovës, sot zyrtarisht e filloi vitin akademik 2020/2021. Në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, studentëve të rinj, të cilët do t’i ndjekin studimet në UT, mirëseardhje u uroi Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se, pavarësisht nga pandemia globale e Covid -19, të gjitha 13 njësitë akademike të universitetit tonë i kanë hapur dyert për studentët, por gjithnjë duke respektuar protokollet e autoriteteve shëndetësore.

“Sot, si asnjëherë më parë, e fillojmë vitin e ri akademik në rrethana krejtësisht të reja, si pasojë e pandemisë globale Covid -19. E gjithë bota, sot përballet me sfidën dhe rrezikun e shëndetit publik dhe krizën serioze që ka prekur edhe shumë sektorë të tjerë. Bota ka njohur edhe epidemi e pandemi të tjera, mirëpo duhet thënë se si kurdoherë më parë janë mobilizuar shtete të varfra e të pasura, profesorë e studentë, artistë e veprimtarë, zejtarë e tregtarë, sportistë e biznesmenë, në kauzën më sublime për të shpëtuar nga murtaja e vitit 2020. Në këtë sfidë globale, sigurisht se u takon Universiteteve t’i prijnë kësaj beteje që e kërcënon mbarë njerëzimin. Të nderuar të pranishëm, ne sot, duke i respektuar në përpikëri protokollet e autoriteteve shëndetësore dhe masat kundër Covid-19, për studentët e rinj i kemi hapur dyert e trembëdhjetë njësive tona akademike. Ndaj, në emër të Universitetit dhe të stafit akademik, nga ky shesh, të gjithë studentëve Ju urojmë mirëseardhje dhe një fillim të mbarë e të suksesshëm në vitin akademik 2020/2021, sikundër gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin studentëve të rinj, të cilët me besimin e tyre të plotë zgjodhën Universitetin tonë për të studiuar në fakultetet dhe programet studimore në kuadër të tyre”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai, në fjalën e tij, mes tjerash tha se, këtë vit në Universitetin e Tetovës “Fadil Sulejmani” studimet i fillon gjenerata e 26-të e studentëve. Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”, sot shënon fillimin e ligjëratave për gjeneratën 26-të të studentëve. “Kjo është një e arritur historike për kombin tonë dhe historinë e arsimit të lartë në gjuhë shqipe. Universiteti ynë, për gati tri dekada me radhë është shndërruar në vatrën kryesore të arsimit dhe shkencës për të rinjtë e vendit tonë, por edhe për ata nga Lugina e Preshevës, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe nga mërgata shqiptare. Për 26 vjet më radhë, ky tempull i dijes, siç e quan kombi ynë, ka ndjekur me përkushtim të jashtëzakonshëm rrugën dhe ëndrrën e rilindësve tanë. Me këtë rast, dëshiroj t’ju përkujtoj edhe njëherë, të nderuar studentë dhe prindër, se rruga që e përshkoi Universiteti ynë nuk ka qenë aspak e lehtë, por ne u rezistuam me dinjitet vështirësive të kohës. Sot, Universiteti i Tetovës ka shënuar të arritura të mëdha. Ai është ngritur tashmë në një institucion arsimor dhe shkencor me përmasa kombëtare dhe rajonale.

Ky institucion arsimor-shkencor, për 26 vjet me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm për edukimin, arsimimin e brezave, por ka qenë dhe do të mbetet fortesa historike në mbrojtje të kauzës sonë kombëtare”, deklaroi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në fund të fjalës së tij, ai u fokusua te studimet, kushtet dhe mundësitë që UT-ja i ofron për studentët. “Universiteti ynë, ofron studime cilësore dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund t’i vijoni studimet e mëtejme, ose të inkuadroheni në punë sipas kualifikimit dhe përgatitjes suaj profesionale. Me vendim të Senatit, ne për çdo vit u ndajmë bursa studentëve ekselentë të Universitetit tonë, që gjatë studimeve arrijnë t’i plotësojnë kriteret e kërkuara. Ndarja e bursave studentore i ka nxitur studentët, e ka rritur konkurrencën dhe ka dhënë fryte në kualifikimin e juristëve, mjekëve, profesorëve, inxhinierëve të shkëlqyer dhe kuadrit tjetër të nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe progresin e përgjithshëm shoqëror. Zbatimi i sistemit të meritokracisë, motivimi i të rinjve tanë për të punuar dhe thelluar studimet e tyre ka dhënë efektet e tij në të gjitha segmentet e veprimtarisë arsimore në Universitetin e Tetovës. Si rezultat i aplikimit të këtyre standardeve dhe rritjes së besueshmërisë te qytetarët, interesimi i studentëve të rinj për t’i vijuar studimet në UT është për t’u përshëndetur. Edhe përkundër situatës së krijuar nga Covid -19, ne edhe këtë vit kemi pasur sukses në regjistrimin e studentëve të rinj në programet studimore që funksionojnë në kuadër të 13 fakulteteve. Të nderuar profesorë dhe studentë, ne lëmë pas një vit dhe e fillojmë një vit të ri akademik. Bazuar në gjendjen e përgjithshme shëndetësore që mbretëron në mbarë botën, ne kemi bërë përpjekjet tona institucionale që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme, që këtë vit procesin arsimor ta zhvillojmë pa pengesa”, kështu e përfundoi fjalimin e tij Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Viti i ri akademik 2020/2021, ka filluar edhe në Fakultetin e Administrimit të Biznesit në Kumanovë, ku studentët janë pritur solemnisht nga Prorektori për Financa, Prof. Dr. Naser Raimi dhe dekani i kësaj njësie akademike, Doc. Dr. Doc. Dr. Llokman Hebibi.

Për studentët në sheshin e Rektoratit të Universitet të Tetovës performoi me këngën “Lule Universiteti”, profesori Selami Kolonja, ndërsa më pas, studentët së bashku me dekanët, stafin udhëheqës dhe profesorët e fakulteteve përkatëse iu drejtuan auditorëve të fakulteteve të tyre. Në pjesën dërmuese të drejtimeve studimore mësimi do të fillojë me prezencë fizike, ndërsa studentët obligohen që t’i respektojnë masat e caktuara për mbrojtje nga Covid – 19.

Zyra për informim