//Në Universitetin e Tetovës Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore e shënoi Ditën Botërore të Ujit

Në Universitetin e Tetovës Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore e shënoi Ditën Botërore të Ujit

2018-05-17T13:42:42+00:00 Mars 23, 2018|
Universiteti i Tetovës, respektivisht Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, me rastin e 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit, organizoi punëtori me profesorët dhe studentët e këtij fakulteti. Gjatë kësaj punëtorie u zhvilluan disa ligjërata kushtuar natyrës, e në veçanti aspekteve specifike të ujit për pije. Theks i veçantë iu kushtua ujit nëpër qytete, cilësisë së ujit dhe rezervave të ujit ngase, siç dihet botërisht rreth 2% janë ujëra të ëmbla, ndërsa pjesa tjetër janë të njelmëta e të tjera.

Në hapjen e kësaj punëtorie, Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fauzi Skenderi, tha se shënimi i 22 marsit – Ditës Botërore të Ujit, organizohet për herë të parë në Universitetin e Tetovës. Sipas tij, me organizimin e këtij evenimenti ky tempull i dijes shënohet në hartën e institucioneve që përkrahin iniciativën e OKB-së. “Dita Botërore e Ujit është një iniciativë e jashtëzakonshme me anë të së cilës të gjithë bashkërisht përpiqemi të nxjerrim në pah faktin se uji është gjëja më themelore dhe më e rëndësishme për mbarë njerëzimin. Tematika për këtë vit është: “Natyra për ujin”, duke eksploruar zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe si me to, mund t’i kapërcejmë sfidat e ujit me të cilat ballafaqohemi në shekullin XXI” tha Prof. Dr. Fauzi Skenderi.

Prodekani për Shkencë i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Doc. Dr. Arianit Reka u shpreh se kjo punëtori organizohet me qëllim sensibilizimin e opinionit për sfidat dhe problemet me ujin, të cilat janë serioze dhe mjaft shqetësuese. “Secili nga ne duhet të marrë situatën në kontroll, nëse duam një ardhmëri të shëndoshë. Të jesh avokat i mjedisit kërkon përkushtim. Të jesh avokat i mjedisit është punë me orar të plotë, fillon prej në shtëpi dhe bartet gjithandej. Prandaj, uroj që ligjëruesit t’ua nxisin kureshtjen si për atë që ne si fakultet mund të bëjmë për çështjet e mjedisit, duke filluar me metodat e përcaktimit të cilësisë së ujit e deri tek të qenit aktivist mjedisor. Nëse jo ne, kush? Nëse jo tani, kur?” – shtoi mes tjerash Doc. Dr. Arianit Reka.

Sekretarja e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, njëherit edhe koordinatore e realizimit të kësaj punëtorie, znj. Hatixhe Bajrami, falënderoi të gjithë profesorët dhe studentët që i kanë dhënë mbështetje të fuqishme realizimit të kësaj punëtorie, ngase siç u shpreh ajo uji është themelor dhe simbol i jetës. “Jam shumë e sigurt se shënimi i Ditës Botërore të Ujit është vetëm fillimi i projekteve dhe aktiviteteve të cilat do të realizohen nga ana e Fakultetit tonë. Uji është e drejtë themelore e çdo individi, e garantuar dhe e siguruar me kushtetutë, nevojë themelore dhe simbol i jetës, pastërtisë, kthjelltësisë që për fat të keq gjithnjë e më shumë keqpërdoret nga ne njerëzit, si çdo resurs tjetër. Andaj të jemi më të vetëdijshëm se sjelljet tona reflektojnë në jetët tona dhe të brezave të ardhshëm” – tha znj. Hatixhe Bajrami.

Për herë të parë Dita Botërore e Ujit është shënuar më 22.03.1993. Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pije dhe me qëllim të apelimit të të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve ujore.