Në Universitetin e Tetovës, sot u bë promovimi i librit “Fjalori politik i Berishës ‘90 – ‘92” i autorit Alfred Lela. Libri në tërësi merret me komunikimin politik të Sali Berishës, i cili me vite e ka dominuar skenën politike në Shqipëri, si ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë për dy mandate, duke analizuar se si është vendosur gjuha e tij nga ajo e një intelektuali të angazhuar në udhëheqës politik të shtetit shqiptar për disa mandate dhe shumë vite.
Para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Juridik të programeve studimore të drejtësisë dhe gazetarisë të Universitetit të Tetovës, autori i librit tha se pyetja me të cilën libri merret dhe do të vërtetojë është; a ka qenë i djathtë komunikimi politik i Sali Berishës në periudhën 90 – 92? “Për arsye që janë të dukshme dhe janë të pashmangshme, është vendi që ka z. Sali Berisha në historinë politike, në historinë e Shqipërisë pas komuniste, pas viteve 90-ta, që nga lëvizja e dhjetorit e deri në vitin 2013, kur dha dorëheqje nga partia (por siç ka thënë ai vetë jo nga politika, sepse edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë një politikan aktiv). Berisha ka qenë sundues në komunikim dhe rrjedhimisht i pashmangshëm. Nëse do të studiosh një udhëheqës politik shqiptar sigurisht që Sali Berisha të vjen në mend, në mos i pari, i dyti. E veçanta e parë do të thoja që është patosi në komunikim i z. Berisha, një lloj energjie fizike që ai e ka, të cilën e ka të formuluar edhe në retorikë. Këto janë gjëra që duken së jashtmi, por unë kam dashur më shumë të zbuloj sesa të ekspozoj atë që ndërkohë shihet. Kam dashur të zbuloj atë se a flet Sali Berisha si i djathtë dhe kjo ka qenë arsyeja që më ka çuar drejt studimit, drejt librit” – theksoi autori Alfred Lela.
Analisti dhe drejtuesi i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku, librin kushtuar fjalorit politik të Dr. Sali Berishës, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm, sepse merret me komunikimin politik dhe analizën e diskursit politik. “Libra të tillë mungojnë. Praktikisht studimet për komunikimin ka, por akoma nuk janë libra që përcaktojnë në një farë mënyre drejtimin e studimeve për komunikim. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë të studiojmë diskursin e aktorëve politikë, sepse në thelb, duke analizuar diskursin dhe duke monitoruar diskursin e tyre kemi shkuar në thelbin e politikës, sepse thelbi i politikës është fjala dhe fjala si aksion politik në këtë kuptim libri është shumë i rëndësishëm. Rëndësia është më e madhe sepse merret me një personazh shumë të rëndësishëm politik shqiptar, siç është z. Sali Berisha, merret me një fazë interesante të këtij personazhi pikërisht fazën e kalimit 90 – 92, kur diskursi i tij politik në diskursin e një intelektuali të angazhuar në ndikimin e fortë të propagandës komuniste kalon në një diskurs të një politikani të pluralizmit, të sistemit demokratik dhe kjo si dukuri është shumë e rëndësishme. Pra, ideja është se si një person brenda një kohe shumë të shkurtër brenda, dy vjetëve, kalon nga fusha intelektuale në fushën politike, prandaj bën një kalim nga një fushë ideologjike siç është e majta në fushën tjetër ideologjike siç është e djathta dhe e gjitha kjo realizohet përmes diskursit. Kjo është e veçanta e këtij libri” – kështu e mbaroi vlerësimin e tij analisti Mark Marku.
Ndërsa zëvendësdekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, profesor Agron Gjekmarkaj, librin e konsideroi absolutisht një risi në studimin e komunikimit dhe ligjërimit politik në hapësirën shqiptare. “Është libri i parë i këtij lloji, një libër që mund t’u shërbejë shumë të gjithë atyre që e kanë zgjedhje të parë bashkëjetesën me politikën dhe ligjërimin politik. Ai mund të jetë shumë interesant për të gjithë studentët e gazetarisë dhe për të gjithë ata që ushqehen politikisht çdo ditë, për të kuptuar se si ndërtohet ligjërimi politik i një lideri, në rastin konkret ligjërimi i Sali Berishës, i cili është një lider që e ka dominuar skenën politike të shtetit shqiptar, por do të thoja se e ka dominuar emocionalisht edhe skenën politike të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit” – tha profesor Agron Gjekmarkaj.
Profesoresha universitare, ligjëruese në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Aurora Ndrio – Karameti, tha se me këtë libër autori Alfred Lela do të shndërrohet në një model për studiuesit e rinj që në të ardhmen të analizojnë diskursin politik të politikanëve të tjerë. “Libri për Sali Berishën është shumë interesant për shkak se me këtë libër hyjmë në fazën kur ne si studiues fillojmë dhe i marrim në analizë, i studiojmë diskurset e politikanëve dhe nxjerrim në dritë çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon tek ata. Çfarë ata kanë si ideologji dhe e proklamojnë dhe në këtë mënyrë ne kemi mundësi bashkë me publikun të krijojmë opinionet tona lidhur me atë se sa politikanët janë vërtet politikanë dhe nuk janë thjesht njerëz që dëshirojnë të bëjnë një aktivitet të tillë të merren me politikë, por janë njerëz që kanë pjekurinë e nevojshme intelektuale të shprehur në diskursin e tyre politik. Pra ka shumë nevojë që të analizohet diskursi politik i politikanëve dhe këtë autori i librit z. Alfred e ka bërë më së miri” – u shpreh Prof. Dr. Aurora Ndrio – Karameti.
Autori z. Alfred Lela është themelues i Politko.al dhe komentator politik në Televizionin Top Channel. Në vitin 2012 ka marrë çmimin “Teodor Keko” në gazetari, ndërsa në vitin 2013 ka botuar librin “Secilit Shqipërinë e tij”(UETPress) me të cilin e ka fituar çmimin “At Zef Pllumi” me publicistikë 2014. Ai po ashtu ka qenë drejtor i botimeve MAPO dhe për të njëjtën logo ka punuar si kryeredaktor i revistës MAPO dhe zv/ kryeredaktor i gazetës MAPO.