//Në UT filloi viti i ri akademik 2018/2019

Në UT filloi viti i ri akademik 2018/2019

2018-10-01T16:14:07+00:00 Tetor 1st, 2018|
Në Universitetin e Tetovës, sot në mënyrë festive, të gjithë së bashku, studentë e profesorë, të tubuar brenda hapësirave dhe auditorëve të Universitetit e filluan vitin e ri akademik 2018/2019. Edhe këtë vit në mënyrë simbolike u ndanë 13 indeksat e parë për studentët e rinj të regjistruar për herë të parë në Universitetin tonë, që përkon me numrin e njësive akademike brenda Universitetit.
Studentëve indeksat ua ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe stafit akademik tha se kjo ditë është nga më të rëndësishmet për Universitetin e Tetovës, sepse sot i hapim dyert e auditorëve të 13 fakulteteve tona për studentët e rinj. Sipas tij, kjo ditë për brucoshët, paraqet kthesën e madhe jetësore dhe fillimin e rrugëtimit për një të ardhme më të lumtur, të sigurt dhe me perspektivë. “Ne drejtuesit e Universitetit Tuaj – Universitetit të Tetovës, së bashku më pedagogët dhe punonjësit tjerë, ndihemi krenarë që nga vit në vit Universitetit tonë i bashkohen qindra të rinj nga vendi ynë dhe rajoni për t’u edukuar e arsimuar në degët e fakulteteve që ofron ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Në këtë fillim tetori, mijëra studentë të rinj i fillojnë studimet e tyre universitare, sikundër mijëra të tjerë vazhdojnë betejën e diturisë për të arritur më të mirën për ta dhe për qytetarët tanë. Oferta arsimore – shkencore e Universitetit të Tetovës, kushtet bashkëkohore të studimit, prestigji ndërkombëtar, partneriteti i përhershëm me universitetet e njohura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, pjesëmarrja aktive në programet ndërkombëtare të arsimit të lartë, bursat për ekselentët e dhjetëra, dhjetëra lehtësime të tjera i nxitën, motivuan mijëra të rinj që përmes sistemit online të aplikojnë e regjistrohen në programet studimore që ne ofrojmë për vitin akademik 2018 / 2019”. Përcaktimi Juaj për të ndjekur rrugën e edukimit dhe arsimimit, jo vetëm që na e forcon besimin se e ardhmja do të jetë më e mirë, por neve si drejtues institucionesh na obligon që të vijojmë përpjekjet, angazhimin intensiv në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore gjatë realizimit të procesit mësimor-shkencor. Ne bashkërisht e kemi dëshmuar se vetëm me punë dhe profesionalizëm e kemi rritur kredibilitetin e këtij institucioni, që edhe në kohët më të vështira e ka dëshmuar se reformimi shoqëror nuk bart emra apo atribute personale, por vendosmëri dhe përkushtim të palëkundur të të gjithëve – stafit akademik dhe studentëve të tij” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Po ashtu në fjalën e tij Rektori i Universitetit të Tetovës, shtoi se ai dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar për arsimimin e gjeneratave të reja dhe sigurimin e një të ardhmeje më të begatë për studentët dhe familjet e tyre, në dobi të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. “Universiteti i Tetovës me pedagogët e specializuar dhe programet e shumta studimore, tanimë ofron modelin e arsimimit që shpie drejt njohjeve të reja shkencore në shërbim të zhvillimit, rritjes së kapaciteteve intelektuale dhe përgatitjen e kuadrove me përgjegjësi si qytetarë të denjë të vendit tonë. Po ashtu, ky universitet e ka dëshmuar se është i hapur për të gjithë, ka ndërtuar një mekanizëm profesional të bashkëpunimit të suksesshëm me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe sektorin e biznesit vendor dhe më gjerë. Besoj fuqishëm se kjo praktikë do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen dhe në këtë mënyrë prosperiteti dhe avancimi arsimor dhe edukativ do të arrihen më lehtësisht. Në fund, Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë zyrtare të fillimit të vitit akademik 2018/2019, studentëve të rinj, profesorëve, bashkëpunëtorëve të Universitetit tonë Ju uroj një vit të mbarë, të suksesshëm dhe me fitore të reja në këtë vit historik – Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut” – theksoi mes tjerash Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti
Me rastin e fillimit të vitit akademik në Universitetin e Tetovës para studentëve të rinj performoi artisti i popullit Selami Kolonja.
Zyra për Informim