//Në UT u përurua shtatorja e themeluesit, Rektorit të parë dhe historik Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe lapidari “Flakadani i Kujtesës”

Në UT u përurua shtatorja e themeluesit, Rektorit të parë dhe historik Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe lapidari “Flakadani i Kujtesës”

2019-12-19T10:29:56+00:00 Dhjetor 18, 2019|
Universiteti i Tetovës, aktivitetet festive për shënimin e 25-vjetorit të themelimit, i përmbylli me shpalosjen e monumentit “Flakadani i kujtesës”, si dhe të shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Pas përfundimit të Akademisë solemne, që iu kushtua 25-vjetorit të UT-së, në hapësirat e jashtme të Universitetit, u përurua monumenti “Flakadani i kujtesës” i cili simbolizon sakrificën dhe mundin e të rënëve për liri në këto troje dhe të gjithë veprimtarëve shqiptarë.
Shpalosja e këtij monumenti u bë nga personalitete të njohura, mes të cilëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, filantropi dhe biznesmeni i njohur tetovar, njëherit edhe donatori i Flakadanit, z. Lazim Destani, bashkëshortja e profesor Fadil Sulejmanit, znj. Haxhere Sulejmani, kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku, profesoresha Myqereme Rusi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, kryetarë të partive politike, z. Ali Ahmeti, z. Bilall Kasami, z. Vesel Mehmedi, kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veprimtarë të kauzës kombëtare, përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, si dhe nga ish-kryetarë të Parlamentit Studentor të UT-së.
Manifestimi qendror i shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UT-së u mbajt në sheshin përpara Rektoratit të UT-së, ku edhe u bë përurimi i shtatores së themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Paraprakisht, të pranishmëve në sheshin e Rektoratit iu drejtua Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
“Fadil Sulejmani jeton e do të jetojë përjetë, në ëndrrën më të bukur të çdo studenti, intelektuali dhe qytetari të vendit tonë e më gjerë. Kontributi dhe veprimtaria arsimore dhe shkencore e tij, mbetet e pakrahasueshme madje e jashtëzakonshme në periudhën kur veproi ai.” – kështu e filloi fjalimin e tij Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Vendosmëria, guximi intelektual dhe burrëria ishin virtyte të personalitetit të tij. Ai la pas vetes një projekt madhor iluminist – Universitetin e Tetovës, projektin më të domosdoshëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm. Profesor Fadili, bashkë me shumë intelektualë të tjerë nga qyteti i Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës, Strugës, Shkupit, Kumanovës dhe nga mbarë hapësirat shqiptare, në vitin 1994 i priu misionit kombëtar për hapjen e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe – Universitetit të Tetovës, vatrës së dritës dhe diturisë për qindra e mijëra të rinj që u arsimuan dhe arsimohen me një këndvështrim të ri për jetën, botën, kombin dhe qytetërimin. Si një intelektual i formuar, me kohë e kishte kuptuar drejt misionin e ideatorit që në periudha të vështira për kombin, të kontribuonte për bashkëkombësit e tij, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat duhej të përballej. Ai i qëndroi i paepur deri në fund, idealit për arsimimin e gjeneratave të reja, pavarësisht se shumë herë u bë shënjestër e qarqeve pushtetare të së kaluarës, që me çdo kusht dëshironin ta pengonin arsimin shqip, këtu në Maqedoninë e Veriut. Profesor Fadil Sulejmani është nderuar me disa çmime nga Universiteti i Tetovës, me të cilat e ka ngritur në panteon emrin e tij: krahas titullit “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, akorduar nga Senati i këtij Universiteti, më 25 nëntor 2002, iu nda edhe çmimi “Nderi i Universitetit të Tetovës”, më 17 dhjetor 2002. Ndërsa në 18-vjetorin e themelimit, më 17 dhjetor 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës, themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit i ndau titullin “Doktor Nderi i Shkencave” (Doctor Honoris Causa). Profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi 10 librave dhe mbi 200 artikujve të publikuar në revista shkencore ndërkombëtare. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës dhe të drejtshkrimit, në fushën e gramatikës dhe të leksikologjisë, në fushën e dialektologjisë dhe të etnologjisë. Janë me qindra artikujt e publikuar ku ka trajtuar çështje të tilla shkencore, të cilat gjithsesi janë pjesë e biografisë së tij të gjerë. Si njëri nga personalitetet historike, tashmë pjesë e panteonit kombëtar, me veprën e tij të përjetshme, shqiptarëve të vendit ua fali dritën e arsimimit, projektin më madhështor në historinë moderne të këtyre trojeve!” – u shpreh Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e njoftoi opinionin edhe me vendimet që i ka marrë Senati i Universiteti për këtë datë jubilare. “Me lejoni t’Ju njoftoj se, Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 nëntor të vitit 2019, që përkon edhe me Ditën e Flamurit tonë kombëtar, solli vendime të rëndësishme të veprimtarisë arsimore-shkencore, por mbi gjitha historike. Në mbledhjen e lartpërmendur të datës 28 nëntor 2019, me unanimitet të plotë, Senati i UT-së solli vendim për inicimin e procedurës për plotësimin dhe ndryshimin e emrit të Universitetit tonë, nga Universiteti i Tetovës, në Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”. Me këtë rast, me iniciativën e marrë si universitet, kemi bërë kërkesë të arsyetuar më datën 11 dhjetor 2019, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i jemi drejtuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim aprovimin e emrit të ri. Iniciativa e adresuar në organet përkatëse, shpresojmë se do të aprovohet dhe do ta përmbushë dëshirën dhe vullnetin e kahershëm të studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve tanë, që ky Universitetit të pagëzohet me emrin Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” dhe puna e tij do të na shërbejë si frymëzim neve dhe gjeneratave që vijnë pas nesh. Në përputhje me rendin e ditës, ky organ i Universitetit solli pëlqimin për pranimin e donacionit nga Doctor Honoris Causa i UT-së, biznesmeni dhe filantropi i njohur z. Lazim Destani, për ngritjen e shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe vendosjen e lapidarit “Flakadani i Kujtesës” që i përurojmë sot si monumente historike që i përjetësojnë emrat e veprimtarëve të kauzës sonë kombëtare, të cilët dhanë gjithçka të vetën që ne të gëzojmë sot. Ndaj më lejoni që në mbyllje të fjalës sime t’i them dy fjalë për mikun e madh të Universitetit të Tetovës, Doctor Honoris Causa i UT-së – biznesmen, humanist e filantrop, z. Lazim Destanin. Shpreh mirënjohje për këtë personalitet e njeri të jashtëzakonshëm, i cili ka qëndruar pranë Universitetit të Tetovës që nga themelimi dhe i tillë do të mbetet, pa dyshim, gjersa t’i japë Zoti jetë. Kontributet e vazhdueshme dhe tejet të rëndësishme për funksionimin e Universitetit tonë, z. Lazim Destani dhe kompania me renome ndërkombëtare ECOLOG e familjes së tij të fisme, sot kurorëzohen me përmendoren madhështore të Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, e cila nga ky moment do të qëndrojë përjetësisht në oborrin e Universitetit, për t’ua kujtuar gjeneratave të studentëve të ardhshëm, betejën e mundimshme të themeluesve të Tij dhe fitoren e madhe të korrur jo me armë vrastare, jo me mitraloza e tanke, po me forcën e shpirtit të pamposhtur arsimdashës – me laps dhe me fletore!” – përfundoi fjalën e tij Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa donatori i shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, filantropi dhe biznesmeni i mirënjohur shqiptar, z. Lazim Destani, u shpreh mjaft i lumtur që Universiteti i Tetovës e ka ngritur në piedestalet më të larta personalitetin dhe figurën e themeluesit të vet, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Ai tha se, përgjatë këtij çerekshekulli Universiteti i Tetovës është gjendur përballë sfidave shumë të vështira, por ka qenë më i fuqishëm ideali, vullneti dhe vendosmëria e gjithë atyre që e mbështetën këtë vatër të dijes. “Ishte rinia studentore, profesorët dhe popullata e kësaj ane që u dhanë mbështetjen e fuqishme iniciatorëve të këtij projekti, intelektualëve të guximshëm me në krye profesorin Fadil Sulejmanin – Rektorin e parë dhe historik të Universitetit të Tetovës. Rezultatet dhe sukseset që gjatë këtyre 25 vjetëve i ka arritur ky universitet janë evidente, janë të dukshme, por zhvillimi dhe rritja e universiteteve nuk kanë mbarim. Andaj, le të vazhdojmë ta mbështetim e ta rritim këtë tempull të dijes duke e mbajtur përkrah universiteteve më të mira të rajonit e më gjerë. Ngritja dhe përparimi i arsimit nënkupton ngritjen, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e gjithanshëm të një shoqërie. Sot, kur para godinës së këtij universiteti në mënyrë madhështore po përurohet shtatorja e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, profesorit Fadil Sulejmani, kam një ndjenjë të veçantë kënaqësie, një përmbushje shpirtërore, pasi me këtë akt ne nderojmë figurën më meritore për themelimin e Universitetit të Tetovës. Me këtë akt, krahas nderimit që i bëhet kësaj figure, ne nderojmë breza të tërë mësuesish e profesorësh të këtyre anëve, të cilët me punë e sakrifica të pashembullta, gjithë jetën e tyre ia kushtuan arsimit shqip. Janë të shumtë intelektualët patriotë të cilët brez pas brezi ngritjen e një Universiteti shqip në këto anë, e kishin ideal të tyre, e kishin ëndrrën e tyre më të madhe. Me këtë rast, do të doja të falënderoj Rektorin Vullnet Ameti, stafin e nderuar akademik, si dhe Senatin e Universitetit të Tetovës, që i mirëpritën si dhuratë këto dy vepra arti, Flakadanin dhe këtë shtatore. Ndërsa një falënderim të veçantë dua t’u shpreh për miratimin e propozimit tim që tash e tutje ky universitet ta mbajë emrin Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”, përfundoi Lazim Destani.
Bashkëshortja e themeluesit dhe Rrektorit të parë të UT-së, profesoresha Haxhere Sulejmani shprehu falënderimet e saj ndaj Rektorit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ametit dhe filantropit z. Lazim Destani, të cilët bashkërisht mundësuan që shtatorja e Fadil Sulejmanit të vendoset në Universitetin të cilin e themeloi ai bashkë me veprimtarë të tjerë. “Nuk ka nder më të madh sesa t’ju drejtohem sot të gjithë Juve për t’ju falënderuar për nderin që i bëni bashkëshortit tim dhe profesorit tuaj, Fadil Sulejmanit. Fadili ishte njeri me shokë shumë, ai çdoherë thoshte se ky Universitet një ditë do të triumfojë, dhe ia arriti! Por, për këtë u jam mirënjohëse të gjithë atyre shokëve dhe të gjitha familjeve shqiptare që e përkrahën në këtë mision. Fadili çdo punë e bënte shumë mirë dhe me shumë përkushtim, ashtu që asnjëri nga ne nuk mund t’i thoshim se kjo punë nuk bëhet, as unë e as fëmijët, madje as bashkëpunëtorët e tij. Gjithmonë thoshte: “Do të fitoj!” Edhe kur i ra sëmundja e kancerit tha: “Edhe këtë do ta fitoj. Edhe këtë betejë… Si e fitova betejën e universitetit, si e bëra universitetin, edhe kancerin do ta fitoj!” Mirëpo, aty nuk mundi edhe pse u mundua e u mundua. Ju sot i keni bërë shumë nder Fadil Sulejmanit, do kisha qenë shumë e lumtur sikur ai të kishte qenë sot mes nesh, por ja që ai nuk është. Megjithatë veprën e tij nuk e harruan njerëzit si Lazim Destani dhe Rektori Prof. Dr Vullnet Ameti, që bashkë me Senatin ngritën iniciativën që Universiteti i Tetovës të emërohet si Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”, ngase te ne shqiptarët, ka shumë universitete që bartin emra patriotësh dhe Universiteti i Tetovës do të bartë emri e themeluesit të vet, Rektorit historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Për këtë i jam shumë mirënjohëse edhe popullatës fisnike të kësaj ane që është treguar mjaft arsimdashëse.”- u shpreh mes tjerash bashkëshortja e të ndjerit, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Fjalë rasti mbajti edhe ideatori i shtatores, Sadik Spahija, i cili duke folur për punën që ka bërë tha se ka qenë me fat që i është besuar ta punojë shtatoren e një veprimtari arsimdashës që ka lënë gjurmë jo vetëm ndër shqiptarët por në mbarë globin, siç është profesor Fadil Sulejmani.
Në prani të shumë qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me z. Lazim Destanin, bashkëshorten e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, znj. Haxhere Sulejmanin dhe shumë personalitete të tjera politike, intelektuale, dhe shoqërore, zbuluan shtatoren e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Ky manifestim u përmbyll me një recital nga artisti i kombit Mirush Kabashi dhe shpalosja e pllakatit me emrin Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”, nga Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, filantropi Lazim Destani, profesoresha Haxhere Sulejmani, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi ish-Rektori, Prof. Dr. Nexhbedin Beadini, kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku, si dhe profesoresha e UT-së, Myqereme Rusi.

Zyra për Informim