Studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës, sot e promovuan numrin e katërt me radhë të revistës studentore “Përtej”. Kjo revistë është e ndarë në disa rubrika, me tema të caktuara, ku gjithsecili student mund ta gjejë veten.
Redaktorja e kësaj reviste, studentja Melek Sulejmani tha se në këtë revistë studentore albanologjike janë të përfshira tema nga gjuha dhe letërsia, proza të shkurtra, poezi, ese ,mendime, studime e intervista. Të gjitha këto ngjallin interes dhe dëshirë për t’u lexuar edhe nga studentët e drejtimeve të tjera.
Ndërsa dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, në fjalën e tij u shpreh se angazhimi i stafit akademik është që të mbështesë iniciativat e studentëve me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin dhe shtoi se ky eveniment paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për studentët që para publikut ta promovojnë veten, fakultetin dhe universitetin.
Mbështetjen e tyre në promovimin e kësaj reviste e ka dhënë edhe Parlamenti Studentor i UT-së, me ç’rast kryetari, Islam Imeri theksoi se do t’i përkrahin gjithmonë studentët në nisma të këtilla dhe sipas tij kjo revistë me vlera e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë mbështetjen e Parlamentit Studentor, edhe në vitet e ardhshme.
Në emër të profesorëve të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilët i kanë mbështetur vazhdimisht studentët, foli Mr. Sc. Vjollcë Berisha. Ajo tha se ndjehet tepër e kënaqur që studentët tanë janë në gjendje të bëjnë një revistë të këtillë, kaq të kompletuar, sepse i ka të gjitha rubrikat që i duhen një reviste letrare.

Zyra për Informim