//Në vigjilje të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, UT i dhuroi donacion shkollës periferike të Buzallkovës së Velesit

Në vigjilje të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, UT i dhuroi donacion shkollës periferike të Buzallkovës së Velesit

2020-03-06T01:26:52+00:00 Mars 05, 2020|
Në vigjilje të 7 – Marsit, Ditës së Mësuesit, Universiteti i Tetovës, me vendim të Këshillit të Rektoratit, Shkollës fillore periferike “Vasil Glavinov” në fshatin Buzallkovë të Komunës së Velesit i dorëzoi një donacion – inventar me pajisje teknike.
Dorëzimin e këtij donacioni e bëri sot Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij dhe drejtues të njësive të tjera akademike të Universitetit tonë.
Ai, gjatë takimit me drejtuesit e kësaj shkolle tha se, Universiteti i Tetovës me vendim të Këshillit të Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur më 4 mars 2020, vendosi që Shkollës fillore “Vasil Gllavinov” t’i dorëzojë donacion – inventar për shfrytëzim të përhershëm të sendeve të luajtshme, si: banka, karrige, dollapë, tavolina, kompjuterë, projektorë, printerë, grafoskopë dhe LED Televizor.
Veç kësaj, ai drejtuesve të kësaj shkolle u dhuroi edhe Logon e Universitetit të Tetovës, bashkë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, si dhe një pikturë me pullën postare të dizajnuar me Logon e Universitetit të Tetovës.
Drejtori i shkollës “Vasil Glavinov”, Sashko Cokov e falënderoi Rektorin e Universitetit të Tetovës për këtë donacion, i cili sipas tij do të ndihmojë në procesin edukativ – arsimor të nxënësve, pasi të gjithë bashkërisht bëjmë përpjekje pikërisht për të mirën e tyre.
Ndërsa përgjegjësi i Shkollës fillore “Vasil Glavinov” të fshatit Buzallkovë, Maksut Bakiovski në fjalën e tij, përveç prezantimit të aktiviteteve që realizohen në këtë shkollë, i falënderoi drejtuesit e Universitetit të Tetovës për mbështetjen që u japin shqiptarëve të rajonit të Velesit. Ai, po ashtu tha se një pjesë e kuadrit të kësaj shkolle të gjithë janë të diplomuar në Universitetin e Tetovës.
Në këtë shkollë janë të regjistruar gjithsej 397 nxënës të shpërndarë në 17 paralele. Prej klasës VI-IX, mësimin e vijojnë edhe nxënësit nga fshatrat Slivnik dhe Kllukovec. Në realizimin e procesit edukativ-arsimor janë të inkuadruar 26 mësimdhënës, të gjithë me përgatitje përkatëse arsimore.