//Posta e Maqedonisë së Veriut e lëshoi në qarkullim pullën postare me logon e UT-së

Posta e Maqedonisë së Veriut e lëshoi në qarkullim pullën postare me logon e UT-së

2019-12-13T00:10:12+00:00 Dhjetor 12, 2019|
Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të Universitetit të Tetovës, Posta e Maqedonisë së Veriut e ka lëshuar në qarkullim pullën postare me logon e Universitetit të Tetovës”. Përmes kësaj pulle postare, që ishte iniciativë e përbashkët e Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtorit të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë, Ejup Rustemi, promovohet historiku, veprimtaria arsimore – shkencore dhe roli i jashtëzakonshëm i Universitetit të Tetovës që ka pasur ndër vite në proceset gjithëkombëtare.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me ekipin e tij, sot e priti në një takim pune drejtorin e përgjithshëm të Postave të Maqedonisë së Veriut, Ejup Rustemin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Me këtë rast, Rektori ynë, Prof. Dr. Vullnet Ameti shprehu falënderime ndaj Postës së Maqedonisë së Veriut për pullën postare që e kanë shtypur në këtë vit jubilar për Universitetin tonë, duke i nderuar të gjithë shqiptarët të cilët kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre për themelimin e UT-së. “Më gëzon fakti që sot jemi bërë bashkë, për ta bërë publike pullën postare para mbarë opinionit, e cila nga sot edhe zyrtarisht do të jetë në qarkullim në postat e vendit. U jam shumë mirënjohës dhe falënderues drejtorit, Ejup Rustemi dhe të gjithë të punësuarve në Postat e Maqedonisë së Veriut për kontributin e tyre që kanë bërë, duke u bashkangjitur edhe ato aktiviteteve tona festive për nder të këtij viti jubilar, kur ne e shënojmë 25-vjetorin e themelimit të Universitetit tonë. Për ne, bashkëpunimet e tilla janë gjithmonë të mirëseardhura, ato do të ngelin në histori dhe neve na mbetet që të punojmë akoma me më shumë profesionalizëm. Lëshimi në qarkullim i pullës postare me logon e Universitetit të Tetovës është ide e përkryer, andaj ne të gjithë duhet të jemi shumë të përgjegjshëm ndaj institucioneve me të cilat drejtojmë, të japim maksimumin nga vetja për të bërë punë të mira, si për institucionet ashtu edhe për shoqërinë, sepse sa më të fuqishme të jenë institucionet aq më i fortë do të jetë edhe shteti, dhe kjo forcë do të krijojë perspektivë për gjeneratat e reja”, tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Ejup Rustemi e falënderoi Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti për mikpritjen dhe bashkëpunimin korrekt që Universiteti ynë tani më ndër vite e ka krijuar me Postën e Maqedonisë së Veriut. “Këtu jemi të gjithë bashkëpunëtorët e Postës së Tetovës dhe këtë pullë e kemi shtypur me emocione të theksuara. Ne si pjesëtarë të Postës së Maqedonisë së Veriut, sot kemi ndjenjë të posaçme, pasi që respektojmë dhe festojmë 25 vjetorin e këtij institucioni, duke përkujtuar sakrificën e të gjitha familjeve shqiptare. Prandaj kemi bëri një pullë postare e cila do të ketë një tirazh prej 6000 ekzemplarësh dhe vlera nominale do të jetë për 50 denarë. Për këtë arsye, ne sot jemi këtu që bashkërisht ta përurojmë një pullë të tillë bashkë me zarfin, brendësia e të cilit është e dizajnuar me logon dhe godinën e UT-së. Mendoj se kjo pullë postare do të jetë ambasadori më i mirë, i cili do të udhëtojë në të gjitha shtetet e botës dhe do të përfaqësojë një pjesë të historisë sonë, e cila është e lavdishme, ku bën pjesë edhe Universiteti i Tetovë ”, theksoi mes tjerash drejtori Ejup Rustemi.

Në shenjë falënderimi për krijimin e pullës postare me logon e Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, drejtorit të përgjithshëm të Postave të Maqedonisë, Ejup Rustemit, i ndau një dhuratë me figurën e Kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ndërsa Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, nga drejtori, Ejup Rustemi pranoi një pllaketë me pullën e re postare me logon e UT-së.

Zyra për Informim