Me ftesë të Universitetit Autonom të Barcelonës, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, qëndroi për vizitë pune në këtë universitet. Prorektori Shehu realizoi një sërë takimesh me drejtuesit e UAB-së, përfshirë dhe takimin me homologun e tij, Prof. Dr. Marius Martinez, me të cilin bashkëbiseduan për fushat e bashkëpunimit mes dy universiteteve, sfidat e arsimit të lartë, mbrojtjen dhe kultivimin e gjuhës si parakusht për zhvillimin e identitetit etnik.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se njëra nga fushat në të cilën mund të ndërtojmë këtë raport është fusha e mësuesisë. Rrjedhimisht, pasoi takimi me dekanen e Fakultetit të Edukimit, Prof. Dr. Marta Bertrán Tarres, profesorin dhe themeluesin e rrjetit ndërkombëtar hulumtues PAFIU, Prof. Dr. Jose Reinaldo Martinez Fernandez dhe Prof. Dr. Laura Betiana Garcia Ravida. Prof. Tarres, në cilësinë e dekanes u zotua për jetësimin e frymës së bashkëpunimit përmes shkëmbimit të stafit, organizimit të punëtorive të përbashkëta, si dhe aplikimit të përbashkët në projekte hulumtuese Evropiane. Universiteti Autonom i Barcelonës është në mesin e universiteteve më të mirë në Evropë dhe i dyti në rang shteti në Spanjë.

Ndër të tjera, Prorektori Shehu, ishte Kryetar i komisionit për mbrojtje të disertacionit të doktoraturës së ish-studentes së Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, Shqiponjë Ahmedi.