//Prurjet e reja për gjuhën, letërsinë dhe kulturën, si dhe teoritë dhe praktikat pedagogjike në kohën e ndryshimeve ishin temat kryesore të konferencave të organizuara në UT

Prurjet e reja për gjuhën, letërsinë dhe kulturën, si dhe teoritë dhe praktikat pedagogjike në kohën e ndryshimeve ishin temat kryesore të konferencave të organizuara në UT

2018-12-09T16:50:04+00:00 Dhjetor 08, 2018|
Në Universitetin e Tetovës i filluan punimet dy konferencat shkencore ndërkombëtare. Tema boshte e Konferencës I të Fakultetit Pedagogjik ishte “Teoria dhe praktika pedagogjike në kohën e ndryshimeve” ndërsa Konferenca V e Fakultetit Filologjik këtë vit trajton temën “Prurje të reja për gjuhën, letërsinë dhe kulturën”. Në këto konferenca marrin pjesë mbi 100 studiues nga fusha e pedagogjisë, gjuhësisë dhe letërsisë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij, tha se njësitë akademike të Universitetit tonë, si vatra të arsimimit e edukimit të mijëra studentëve, me punën e tyre hulumtuese, tanimë janë kualifikuar si qendra kryesore të studimeve në fusha të ndryshme shkencore. Jemi tubuar të gjithë së bashku për t’i hapur zyrtarisht punimet e Konferencës së Pestë Shkencore të Fakultetit Filologjik me temë “Prurje të reja për gjuhën, letërsinë dhe kulturën”, sikundër do ta zyrtarizojmë veprimtarinë shkencore të fakultetit më te ri, Fakultetit Pedagogjik, i cili hap siparin me organizimin e Konferencës së Parë Shkencore, me temë “Teoria dhe praktika pedagogjike në kohën e ndryshimeve”. Sikurse e dimë, albanologjia, me theks të veçantë filologjia, është tërësia e studimeve që janë bërë dhe bëhen për historinë, gjuhën, folklorin dhe kulturën e popujve tanë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve të huaj. Ato janë bërë objekt kërkimesh dhe studimesh nga dijetarë të shquar të vendeve të ndryshme të botës. Një kontribut të veçantë për tërësinë e studimeve të lartpërmendura jep edhe Universiteti i Tetovës përmes katedrave të Fakultetit Filologjik. Rrethanat e njohura historike, politike dhe socio-kulturore në Ballkanin Perëndimor që kanë përjetuar popujt, kanë përcaktuar faktin që filologjia ka qenë dhe mbetet në epiqendrën e studimeve shkencore. Gjuha dhe letërsia, me gjithë sfidat e tyre, kanë vijimësi historike dhe përmes tyre kuptohen më qartë vlerat historike të kombeve, zhvillohet vetëdija e përbashkët, psikologjia dhe morali kombëtar” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Për sa i përket konferencës tjetër të Fakultetit Pedagogjik, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, deklaroi se edhe kjo është po aq e rëndësishme, sidomos për tematikën që ka paraqitur para studiuesve dhe auditorit të gjerë. “Vlerësoj se ka në fokus të programit të saj një temë të qëlluar, alternimin e teorisë dhe praktikës pedagogjike në kohën e ndryshimeve që ne i jetojmë çdo ditë. Pedagogë të njohur, pas shumë e shumë studimeve në këtë lëmë, kanë konstatuar se një nga forcat që e shtyjnë individin drejt formimit intelektual, kulturor dhe social është edukatori. Edukatori është motivim, është qelizë e konstruksionit mendor, individual dhe social njëkohësisht. Universiteti ynë përgatit edukatorë shembullorë, që edukojnë breza të tërë dhe në këtë mënyrë i shtyn përpara proceset edukative, arsimore, shkencore dhe kulturore në vendin tonë dhe më gjerë” vlerësoi mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani, tha se konferenca e fakultetit që ai drejton do të trajtojë çështjet aktuale në sferën e arsimit, të rëndësishme për ardhmërinë dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. “Qëllimi i kësaj konference, mes tjerash, është që t’i bashkojë sot dhe këtu ekspertët e rajonit, të cilët merren e i diskutojnë çështjet aktuale dhe të rëndësishme për ardhmërinë e arsimit, në zhvillimin e shoqërisë dhe individit. Në këtë drejtim, bëjmë përpjekje maksimale që të ballafaqohemi me sfidat më aktuale, edhe atë: cilat njohuri dhe shkathtësi duhet zhvilluar te nxënësit dhe studentët, të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit të sistemit arsimor dhe shoqërisë në përgjithësi. Ne si nikoqirë të këtij tubimi shkencor dëshirojmë të hapim dhe të diskutojmë disa nga çështjet, të cilat mendojmë se do të prodhojnë dhe sigurojnë cilësi në mësimdhënien universitare dhe jo vetëm” – theksoi Prof. Dr. Fadbi Osmani.
Ndërsa koordinatorja e konferencës së Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Rabije Murati, u shpreh se vetë emërtimi i konferencës “Teoria dhe praktika pedagogjike në kohën e ndryshimeve” tregon për nevojën, relevancën dhe domosdoshmërinë e trajtimit të problemeve të ndryshme pedagogjike, arsimore me të cilat përballemi pikërisht në kohën e kërkesave të shumta për ndryshime. “Arsimi është shtylla e shoqërisë dhe kombit dhe si e tillë mund të pranojmë se ka ngecur, stagnuar dhe se nuk është në pozitën dhe vendin ku duhej të jetë. A thua kjo ngecje dhe ky stagnim është si rrjedhojë e problemeve të shumta pikërisht në këtë “shtyllë” shoqërore?
Kjo dhe shumë pyetje të tjera kërkojnë trajtime, hulumtime dhe përpunime shkencore nga ekspertë të ndryshëm. Edhe përkundër tentativave të shumta për reformim të arsimit, mund të themi se akoma nuk kemi arritur ta ndryshojmë dhe adaptojmë atë në tendencat evropiane” – shtoi mes tjerash Prof. Dr. Rabije Murati.
Sa u përket organizimeve të konferencave shkencore, Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës, përveç konferencave të rregullta shkencore ndërkombëtare, deri më tani ka organizuar edhe tri simpoziume tjera shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Rektorit të parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, dhe humanistes shqiptare, shenjtores Nënë Tereza. Sipas dekanit të Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani , organizimin e konferencave vjetore në nivel programesh studimore, Universiteti i Tetovës edhe pse e ka nisur para 5-6 vitesh deri më tani ka arritur të mbajë ritmin, pavarësisht të dhënës se aktivitetet e këtilla kërkojnë shumë punë dhe shumë mjete financiare, aq më tepër kur dihet se kumtesat që lexohen nëpër sesionet e konferencave shkencore botohen nëpër revistat përkatëse, duke u bërë kësisoj pronë kohësh dhe gjeneratash që vijnë pas nesh. “Natyrisht, e gjithë kjo arrihet në sajë të përkrahjes së gjithanshme të drejtuesve të Universitetit, që synon përparimin e vazhdueshëm të procesit mësimor akademik, stimulimin e veprimtarisë hulumtuese dhe ngritjen e nivelit të vlerave të përgjithshme universitare. Falë kësaj, Fakulteti Filologjik organizon sot Konferencën e 8-të Shkencore Ndërkombëtare, në të cilën kemi ftuar studiues nga të gjitha viset shqiptare, që, sigurisht do të sjellin prurje të reja në fushën e studimeve albanologjike” -komunikoi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Koordinatori i Konferencës së Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Izmit Durmishi, njoftoi se gjatë punimeve të konferencës në sesionet e gjuhësisë do të trajtohen nëntemat: Gjuhësia bashkëkohore dhe trendet e reja në rrafshin krahasimtar; Gjuhësi teksti dhe përkthim, ndërsa në sesionet e letërsisë do të shtjellohen nëntemat: Pikëpamjet e reja të studimeve letrare; Simbolet mitike në letërsi etj. “Konferenca do të ketë objekt studimi dhe promovimi vlerat identitare të kombit (gjuhës, letërsisë e kulturës) dhe do të jetë zëri afirmues i UT-së këtu e më gjerë. Në sesionet e konferencës do të marrin pjesë afro 40 studiues dhe hulumtues nga disa qendra universitare nga vendi dhe jashtë, të cilët me praninë e tyre dhe temat që do të shtjellojnë, do ta çojnë përpara këtë veprimtari fisnike dhe do të nxisin te brezi i ri idenë e mendimit shkencor rreth shumë temave të pastudiuara sa duhet. Konferenca i ka vënë detyrë vetes t’i diskutojë e t’i trajtojë njëkohësisht në mënyrë të hapur, shumë çështje të gjuhës, letërsisë e kulturës që llogariten risi për mënyrën e trajtimit dhe studimit” – njoftoi Prof. Dr.Izmit Durmishi.
Në hapjen solemne të punimeve të konferencave shkencore u promovuan edhe numri i tetë i Revistës Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit Filologjik, “Filologjia” dhe numri i parë i Revistës Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit Pedagogjik “Edukimi”.Zyra për Informim