//REKOMANDIME për mbrojtje nga korona virusi dhe udhëzime për sjelljen e studentëve, kuadrit mësimor dhe atij jomësimor

REKOMANDIME për mbrojtje nga korona virusi dhe udhëzime për sjelljen e studentëve, kuadrit mësimor dhe atij jomësimor

2020-03-12T23:44:27+00:00 Mars 12, 2020|

Si rezultat i gjendjes aktuale të përhapjes së KOVID-19 në mbarë botën, në Evropë dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe në bazë të konkluzioneve të Qeverisë në seancën e pesëmbëdhjetë, procesi mësimor në Universitetin e Tetovës është ndërprerë për 14 ditë, që nga 10.3.2020. (https://www.vlada.mk/node/20447?ln=sq)

Prandaj, të gjitha ligjëratat dhe ushtrimet e studentëve në të gjitha fakultetet në kuadër të Universitetit do të jenë të harmonizuara me lëndët përkatëse, ndërsa studentët do t’i marrin materialet e nevojshme si dhe udhëzimet për përvetësimin e materialit.

Përgjatë periudhës 14-ditore, studentët do të mund të komunikojnë me mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët në e-adresat zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe 14-ditore mësimdhënësit nuk mbajnë mësim, ndërsa kohën e shfrytëzojnë për realizimin e veprimtarisë kërkimore- shkencore.

Prindërit që kanë fëmijë deri në moshën 10-vjeçare, të cilët nuk do të shkojnë në çerdhe apo në shkollë, do të lirohen nga obligimi për t’i realizuar detyrat e punës. E njëjta u referohet edhe prindërve që i rrisin fëmijët të vetëm. Mungesa do të vërtetohet përmes dorëzimit të vërtetimit ose fletëpagesës për qëndrim në çerdhe, kopjes së dokumentit të udhëtimit ose certifikatës së lindjes së fëmijës apo vërtetimit për nxënës të rregullt nga institucionet arsimore ose kopjes së dëftesës.

Prindërit e fëmijëve, të cilët nuk shkojnë në çerdhe ose nuk janë të kyçur në procesin edukativ- arsimor nuk janë të liruar nga puna dhe realizimi i aktiviteteve të punës.

Në Universitet janë anuluar të gjitha aktivitetet, që përfshijnë grumbullime më masive si dhe organizimet në hapësira të hapura apo të mbyllura, manifestimet kulturore dhe sportive.

Të shmangen udhëtimet në shtetet me rrezik të lartë dhe të mesëm, ndërsa të punësuarit dhe studentët që kanë vizituar dhe vijnë nga shtetet me rrezik të lartë dhe të mesëm, në pajtim me listën e Organizatës Botërore të Shëndetit (https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019), të vetizolohen, të mos vijnë në punë dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore për të kryer testim.

Personat që do të lirohen nga puna dhe aktivitetet e punës me dorëzimin e vërtetimit nga mjeku amë, janë personat në gjendjet si vijon:

  • Sëmundje kronike respiratore;
  • Sëmundje të rënda kardiovaskulare;
  • Diabet – TIP 1;
  • Sëmundje malinje; dhe
  • Gjendje që komprometojnë imunitetin.

 

Studentët mund t’i shfrytëzojnë shërbimet e qendrave administrative – profesionale për obligime të domosdoshme në hapësirat e Universitetit ose të konsultohen përmes e-adresave të shërbimeve të caktuara, të shënuara në ueb-faqen e Universitetit (https://unite.edu.mk/).

 

Si përhapet KOVID-19 dhe si të mbroheni?

Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, KOVID-19 është sëmundje infektuese e shkaktuar nga korona virusi i ri, i cili për herë të parë është regjistruar te njerëzit.

Ai përhapet përmes kontaktit njerëzor, më së shpeshti përmes pikave të imëta që shpërndahen në ajër teksa i sëmuri flet, kollitet apo teshtin. Këto pika mund të përfundojnë në gojën apo hundën e personave që janë në afërsi. Pikat janë të rënda dhe nuk mund të shpërndahen në distanca më të mëdha në ajër – afërsisht rreth një metër dhe për një kohë të shkurtër përfundojnë në cilëndo hapësirë. Prandaj, bartja e virusit të njerëzit më së shpeshti ndodh përmes kontakteve të afërta. Ende nuk dihet sa mund të jetojë virusi në ato hapësira.

Prandaj, duhet që rregullisht t’i pastroni hapësirat, veçanërisht ato që janë në afërsi të njerëzve të infektuar me KOVID -19. Me duar preken shumë hapësira, të cilat ndoshta janë të kontaminuara me virusin.

Për shkak të të lartpërmendurës duhet të mos i prekni sytë, hundën apo gojën, sepse me duart e kontaminuara nga hapësirat mund të infektoheni me virusin.

Kur kolliteni apo teshtini mbuloni hundën dhe gojën me anën e brendshme të bërrylit ose përdorni letra për një përdorim. Pas përdorimit, letrën hidhni në koshin e mbyllur të mbeturinave.

Mënyra më efikase për parandalimin e përhapjes së korona virusit të ri është pastrimi i shpeshtë i duarve me mjete për dezinfektim që përmbajnë alkool ose larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë. Me këtë procedurë do ta asgjësoni virusin nëse ai ndodhet në duart tuaja.

Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe shëndetin e të tjerëve dhe pengoni përhapjen e virusit KOVID-19.

Simptomat e sëmundjes së shkaktuar nga korona virusi janë të ngjashme me ato të gripit, ndaj përgjegjësia e çdo të punësuari që i ka këto simptoma (temperaturë të lartë, kollitje, frymëmarrje e rënduar) është që të shkojë në institucion shëndetësor dhe të kërkojë ndihmë mjekësore për testim si dhe të mos vijë në punë, duke lajmëruar për gjendjen dhe duke sjellë vërtetim nga mjeku amë.

Të punësuarit që kanë simptome respiratore (kollitje apo teshtima) detyrimisht duhet të mbajnë maska medicinale.

Përdorimi i maskave medicinale duhet të jetë i rregullt, gjegjësisht ato për një përdorim të hidhen me qëllim që të mënjanohet rreziku i përhapjes së virusit.

Përgjegjësia e çdo të punësuari dhe studenti është t’i ndjekë dhe t’i respektojë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

 

Universiteti i Tetovës