//Studentët e Artit muzikor të UT-së e organizuan koncertin vjetor

Studentët e Artit muzikor të UT-së e organizuan koncertin vjetor

2019-06-19T09:33:19+00:00 Qershor 19, 2019|

Studentët e programit studimor të Artit muzikor të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës e organizuan koncertin vjetor me muzikë vokale instrumentale. Ky koncert është një mundësi e mirë për të gjithë ata studentë të cilët për herë të parë kanë shansin që ta shijojnë skenën duke performuar para një publiku të gjerë.
Shefi i programit studimor të Artit muzikor në Universitetin e Tetovës, Prof. Ord. Bajramali Idrizi thotë se studentët përmes këtij koncerti në performancat e tyre paraqesin vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre botërorë dhe se përmes këtyre ata vlerësohen në disa lëndë. E veçanta e këtij koncerti ishte edhe diplomimi i studentes Fjolla Roshi. Ajo përmes performancës së saj në dirigjim orkestral prezantoi punimin e diplomës dhe bëhet dirigjentja e parë e diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës.
Veç kësaj, në këtë koncert u nda edhe çmimi për studenten më të mirë të artit muzikor, violinisten Zana Zumeri. Ky vlerësim iu bë asaj falë punës dhe suksesit të treguar gjatë katër viteve të studimeve. Ajo me angazhimin e saj i është përgjigjur pozitivisht çdo aktiviteti të organizaur brenda Universitetit të Tetovës. Po ashtu, ajo deri më tani është vlerësuar me disa çmime në gara të ndryshme vendore dhe rajonale.
Pas këtij vlerësim i që iu bë, violinistja Zana Zumeri u shpreh se çmimi “Student i vitit” është një arritje tjetër për atë. Çmimi “Student i vitit” është një ngjarje vjetore, e cila shpërblen studentët jo vetëm që shkëlqejnë në ndjekjet e tyre akademike, por gjithashtu që zhvillojnë aftësi të gjithanshme për pasionin dhe talentin e tyre. Përveç arritjeve të shkëlqyera akademike dhe jo akademike, besoj se ky çmim mu nda edhe si rezultat i cilësive të një studenteje aktive në shumë iniciativa, me mendime të pavarura dhe reflektuese, kreative, shpirtit publik dhe angazhimin tim, vizionit, besimit dhe aftësive bashkëpunuese. Mirënjohja ime u shkon prindërve, profesorëve dhe mësuesve për përpjekjet e përbashkëta dhe mbështetjen për rritjen dhe zhvillimin tim deri këtu sot”, tha ajo.
Ky koncert, i cili tanimë është tradicional në Fakultetin e Arteve, paraqet një kombinim të bukur mes orkestrës, korit, solistëve dhe instrumentistëve.

Zyra për Informim