Me iniciativë të profesorëve, Doc. Dr. Dashmir Idrizit dhe Prof. Assoc. Dr. Astrit Memias, studentët e katedrës së Gazetarisë të Universitetit të Tetovës, javën e kaluar (5-6 prill 2018), realizuan vizitë dyditore në Republikën e Shqipërisë, me ç’rast i vizituan disa prej institucioneve të rëndësishme shtetërore në këtë vend.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, studentët e UT-së u njohën për së afërmi me ambientet e Pallatit të Brigadave, me historikun e tij, arkitekturën dhe pamjen unike të ruajtur që nga koha e Mbretit Zog.

Pjesë e rëndësishme e agjendës së studentëve ishte edhe pritja nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili realizoi një bisedë joformale për zhvillimet e përgjithshme politike dhe gjendjen e shqiptarëve jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

“Miratimi i demarkacionit në Republikën e Kosovës, problemi kryesor për lëvizje të lirë të kosovarëve kaloi, ju në Maqedoni lirinë e lëvizjes e keni tash e sa kohë dhe pasaportën shqiptare e doni vetëm për përmbushje qejfi, ndaj për t’u pajisur me të njëjtën duhen përmbushur disa procedura”, theksoi Presidenti i Shqipërisë. Ai, po ashtu veçoi se Shqipëria është nën monitorim dhe duhet të bëjë shumë kujdes gjatë dhënies së nënshtetësive.

Presidenti Meta komentoi edhe veprimet e homologut të tij maqedonas, Gjorge Ivanov i cili ka deklaruar se nuk e dekreton ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Nuk ka të drejtë, duhet ta dekretojë. Kuvendi e ka kaluar dy herë, ligji i gjuhëve duhet të vihet në përdorim. Ky ligj nuk u bën ndonjë favor shqiptarëve, kjo u ka takuar që nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Ilir Meta dhe nënvizoi marrëdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe shprehu dëshirën për zgjerimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit.

Pas presidencës, studentët e gazetarisë e vizituan Kuvendin e Shqipërisë, ku u pritën nga Erion Delvina, punonjës administrate në këtë institucion, i cili i njoftoi studentët për punën dhe vlerën e kuvendit në një shtet me sistem parlamentar si Shqipëria.

Pas përfundimit të vizitave në institucionet e lartpërmendura, studentët e UT-së, i panë nga afër studiot e disa prej medieve më të njohura në Shqipëri, si: Radio Televizioni Shqiptar, Klan Plus dhe Top Channel. Në këto takime, gazetarët e këtyre redaksive theksuan se në mediet ku ata punojnë, investohen shuma të mëdha parash në teknologji dhe në rritjen e kualitetit.

Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes UT-së, universiteteve, medies, inteligjencies dhe autoriteteve shqiptare, datojnë që nga viti 1994 – themelimi i UT-së dhe të njëjtat kanë njohur intensifikim dhe suksese të përbashkëta.