Instituti i Gjuhës, i Kulturës dhe i Qytetërimit Shqiptar “Jusuf Bageri” i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Forumin “Imazh dhe Media” nga Republika e Shqipërisë dhe Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës në vendin tonë,  e organizuan Festivalin XIX Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar”.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Prof. Dr. Ylber Sela, në fjalën e tij e përgëzoi kryetarin e Forumit “Imazh dhe Media”, Prof. Dr. Astrit Memia për organizimin e këtij festivali mbarëkombëtar. “Ky është një festival që në Shkup organizohet në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, po ashtu është kënaqësi që ky festival organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, që është një nga universitetet lider në rajon dhe më i miri, pasi që nga gjiri i vet ka përgatitur kuadro profesionalë dhe cilësorë. Sot administrata shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut përbëhet nga kuadrot të cilat kanë studiuar dhe janë përgatitur profesionalisht në këtë Universitet. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës gjithmonë do të jetë e hapur për bashkëpunime të këtilla me interes kombëtar”, theksoi Prof. Dr. Ylber Sela.

Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ameti u shpreh se Universiteti ynë, përveç aktiviteteve arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike që i realizon, vazhdon t’i prezantojë ngjarjet e veçanta, në interes të zhvillimeve të përgjithshme shoqërore dhe kulturore, siç është edhe manifestimi i sotëm Festivali i ’19-të i Imazhit Shqiptar, dedikuar shqiptarëve ortodoksë, ku edhe e përurojmë edicionin special të revistës “Filologjia”. “Ky festival, që vitin tjetër do t’i përmbyllë dy dekada të veprimtarisë, në gjithë këto vite ka nderuar dhe laureuar qindra personalitete nga të gjitha meridianët e botës, dhe në këtë mënyrë është shndërruar në ngjarjen më të madhe kulturore në trevat shqiptare. Duke u nisur nga këto vlera universale artistike, që përfaqëson “Imazhi Shqiptar”, ne si institucion, përmes Institutit të Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit Shqiptar “Josif Bageri”, këtu në kryeqendrën e vendit tonë, sot bashkërisht i kushtojmë rëndësinë e veçantë që meriton ky forum mbarëkombëtar”,  tha Prof. Dr. Kushtrim Ameti.

Kryetari i Forumit “Imazh dhe Media”, Prof. Dr. Astrit Memia tha se ky forum është një rrjet global individësh që i janë përkushtuar ndërtimit të një bote shqiptare të Liri-Demokracisë, si dhe në paqe, bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale. “Ne mbështesim dhe promovojmë vlerat e superelitës kombëtare shqiptare, e panshqiptare dhe arritjen e objektivave të mijëvjeçarit për zhvillim të qëndrueshëm brendashqiptar. Forumi “Imazh dhe Media” është një forum, që ka për qëllim: integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, organizma të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë. Në interes të paqes globale punon për profilizimin dhe profesionalizmin e personave fizikë, juridikë dhe të individëve në përputhje me kërkesat e kohës. “Imazhi shqiptar” shërben edhe si një promovim i arritjeve për paqen pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aspiratës tonë për t’u integruar në BE. Forumi “Imazh dhe Media” promovon  prej 3 dekadash vlerat elitare kombëtare  e ndërkombëtare në të mirë të Shqipërisë, shqiptarisë e shqiptarizmës”, u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Astrit Memia.

Forumi “Imazh dhe Media” në  edicionin e XIX të këtij festivali ndërkombëtar, çmimin Ambasador për Imazhin Shqiptar dhe Identitetin Kombëtar, ia ndau pinjollit të familjes Qiriazi nga Manastiri, Risto Qiriazi. Këtë çmim që e ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, jepet me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut”.

Me këtë rast, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, i falënderoi bashkë-organizatorët e Festivalit të XIX  Ndërkombëtar “Imazh dhe Media” për nderimin që i bëjnë familjes Qiriazi, duke theksuar se me këtë çmim nuk është nderuar vetëm kjo familje atdhetare nga Manastiri, por janë respektuar të gjithë rilindësit shqiptarë që ndër vite kanë kontribuar për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

Ky festival me përmasa ndërkombëtare u organizua për herë të parë në qytetin e Shkupit, në vigjilje të jubileut kombëtar me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.