Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, më 26 dhjetor 2022, e priti në takim drejtorin e përgjithshëm të kompanisë MEPSO, Orhan Murtezani. Gjatë këtij takimi u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve, për çështje me interes të përbashkët, bazuar në shfrytëzimin e kapaciteteve shkencore-profesionale, materiale-teknike dhe hapësinore që synojnë avancimin e veprimtarive arsimore, kërkimore dhe aplikative në fushën e inxhinierisë elektrike dhe teknologjive të informacionit.

Ndër të tjera, memorandumi mes palëve parasheh bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e realizimit të programeve arsimore dhe punës praktike; projekte zhvillimore dhe kërkimore, të realizuara përmes bashkëpunimit të ekspertëve dhe ekipeve profesionale të përcaktuara nga nënshkruesit; aktivitete konsultative; bashkëpunim dhe mbështetje reciproke në organizimin dhe realizimin e seminareve profesionalë, konferencave dhe seminareve shkencore, punëtorive, tryezave të rrumbullakëta;  shkëmbim të mendimeve dhe të arriturave shkencore, eksperte, aplikative në fushën e informatikës dhe mekatronikës; veprimtaritë edukative, të realizuara përmes edukimit të vazhdueshëm të stafit inxhinierë-teknikë; sigurimi i praktikës studentore për studentët me bursë, si dhe studentët e tjerë, si dhe shkëmbim të informacioneve dhe përvojave nga anëtarësimi në shoqata profesionale vendase dhe ndërkombëtare, pjesëmarrja, koordinimi dhe performanca e përbashkët në punën e të njëjtave.

Po ashtu, ky memorandum parasheh edhe bursat për studentët e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë të studimeve. Bursa jepet në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajsh në vit, me mundësi vazhdimi ose ndërprerje, në varësi të përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen për bursat e studentëve.