//UT e shënoi 23-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para

UT e shënoi 23-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para

2018-05-16T15:42:57+00:00 Shkurt 17th, 2018|
Me vizitën në Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj, homazhet te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe homazhet te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, Universiteti i Tetovës e shënoi 23-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. 23 vjet më parë, për studentët shqiptarë të vendit tonë u realizua një ëndërr e madhe, ajo e të pasurit universitet në gjuhën amtare. Më 17 shkurt të vitit 1995 filluan ligjëratat e para, të cilat u mbajtën në fshatin Poroj dhe në Reçicë të Vogël, atje ku ishin tubuar mijëra njerëz për të mbështetur bijtë dhe bijat e tyre, që shkruanin faqen më të ndritur të historisë në këtë pjesë të trungut shqiptar– lindjen e Universitetit të Tetovës.

Për nder të kësaj date historike, sot në hapësirat e Universitetit u organizua akademi solemne, në të cilën morën pjesë drejtuesit e Universitetit të Tetovës, mysafirë nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, profesorë dhe studentë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në auditor theksoi se sot, të gjithë së bashku, jemi tubuar për të shënuar njërin nga përvjetorët themeltar të Universitetit të Tetovës, 23 – vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. “I kujtojmë momentet vendimtare të procesit mësimor – shkencor të Universitetit të Tetovës, orët e para që shënuan epokën e arsimit sipëror në gjuhën shqipe në vendin tonë. Përballë forcave policore dhe pushtetit të errët e antidemokratik, më 17 shkurt 1995, fitoi guximi i kombit tonë, vendosmëria e studentëve të gjeneratës së artë – gjeneratës së parë, urtia dhe vizioni përparimtar i profesorëve, të udhëhequr nga themeluesi dhe Rektori i parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Si në asnjë vend të botës, fillimi i punës së një universiteti, përkatësisht Universitetit të Tetovës, në vitin 1995 u shoqërua me dhunën dhe forcën e policisë të ushtruar mbi qytetarët që kishin dalë në mbrojtje të arsimimit universitar. Si pasojë e dhunës së pushtetit të kohës, fatkeqësisht pati shumë të lënduar dhe të burgosur, mes të cilëve u burgosën Rektori, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe drejtues tjerë të Universitetit, ndërsa Abdylselam Emini ra dëshmor i arsimit shqip. Rënia e Tij ngriti themelet e pavdekshme të tempullit të dritës dhe diturisë, të Universitetit të parë në gjuhën shqipe, të institucionit të lavdisë dhe krenarisë kombëtare, të vatrës arsimore të të gjithë shqiptarëve – Universitetit të Tetovës” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu shtoi se historia e fillimit të Universitetit tonë vërteton më së miri se, kur një popull e mbështet një ide fisnike, siç është arsimimi në nivel universitar, asnjë forcë nuk mund ta ndalë jetësimin e këtij ideali. “Përgjatë 23 viteve, Universiteti ynë e realizoi misionin e vet arsimor, i realizoi objektivat e veta dhe u shndërrua në Universitet publik në kuadër të sistemit arsimor të Maqedonisë. Ne u shprehim mirënjohje dhe falënderime të përzemërta të gjithë atyre që kontribuuan për themelimin dhe të arriturat e derisotme të këtij Universiteti. Falë mbështetjes së tyre, djersës së arsimdashësve, punës së pareshtur të qindra pedagogëve, Universiteti ynë dhe i Juaji tanimë është ngritur në një institucion të arsimit të lartë që promovon vlera arsimore dhe shkencore, të pranueshme edhe në hapësirën evropiane. Në mënyrë të veçantë, i falënderojmë nga zemra dhe u shprehim mirënjohje të përjetshme familjeve shqiptare që shtëpitë e tyre i shndërruan në mësonjëtore të para të këtij Universiteti. Studentët e gjeneratës së parë, profesorët dhe bashkëpunëtorët që dhanë kontribut për ngritjen, përparimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të vetëm të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor të tij, sidomos profesorët nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës dhe më gjerë. Shënimi i këtij përvjetori, përkon edhe me Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe me 10 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndaj, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të studentëve, profesorëve dhe punonjësve tjerë të Universitetit, të gjithë shqiptarët t’i uroj për këto dy ngjarje të mëdha për kombin tonë, me bindjen se në mënyrë institucionale do ta kujtojmë e shënojmë periudhën e lavdishme të Kryeheroit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe t’i kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që u sakrifikuan në altarin e lirisë, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur” – shtoi mes tjerash Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti

Në këtë akademi ishte i pranishëm edhe Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha. Me këtë rast Rektori ynë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prof. Dr. Artan Hoxhës i ndau mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe forcimin akademik të Universitetit të Tetovës. Pas pranimit të mirënjohjes, Prof. Dr. Artan Hoxha tha: “Këtë vlerësim që ma bëni mua nuk e konsideroj si vlerësim individual, por si kolektiv, sepse Ju keni nderuar në përgjithësi gjithë profesoratin e Universitetit të Tiranës dhe të gjithë ata pedagogë që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për Universitetin e Tetovës. Është një emocion i veçantë që të jemi pjesëmarrës në 23-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës, një universitet që identifikohet me dëshmorin e vet, i cili nuk është një universitet që historinë e ka normale si universitetet tjera, është një universitet i krijuar bazuar në përpjekje, mund dhe sakrifica. Ne që në vazhdimësi e kemi ndjekur rritjen e këtij universiteti e shohim se sa lart është ngritur, sa ka përparuar krahasuar me disa vite më herët dhe kjo na bën krenarë të gjithëve që arsimi shqip, sidomos arsimi i lartë, tashmë nuk është një ëndërr për shqiptarët e këtyre trevave, por është një realitet i prekshëm. Kjo ndikon në zhvillimin e Maqedonisë, por edhe të çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi” – tha Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Po ashtu në këtë akademi, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë mirënjohjeje për rezultatet e arritura në disiplinën e kikboksit profesionist dhe afirmimin e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, i ndau mirënjohje edhe kampionit të trefishtë të botës në kikboks, z. Ismail Keta. Ky i fundit tha se ka ardhur enkas nga Nju Jorku vetëm për të nderuar Universitetin e Tetovës, sepse emri i këtij Universiteti te çdo shqiptar ngjall emocione të veçanta. “Në momentin që arrita këtu në hapësirat e Universitetit të Tetovës, u ndjeva se jam në trojet shqiptare dhe për këtë shfrytëzoj rastin t’Ju uroj të gjithëve që keni kontribuar për ngritjen dhe zhvillimin e këtij Universiteti. Është meritë juaja që e keni bërë këtë vend të frymojë shqip. Këtë nder do ta ruaj në kujtesën time, ndërsa Universitetin e Tetovës do ta promovoj gjithandej nëpër botë, sepse për nga historia është më i veçantë nga të gjitha universitetet tjera” – tha kampioni i trefishtë i botës në kikboks.

Gjatë ditës, me rastin e përkujtimit të 23-vjetorit të fillimit të ligjëratave të para, Rektori i Universitetit të Tetovës, priti në kabinetin e tij në takim familjen e Abdylselam Eminit, dëshmorit të Universitetit të Tetovës.