Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, tha se qëllimi i kësaj gare është që studentët e fakulteteve të ndryshme të garojnë mes vete në këtë lojë dhe përmes këtyre organizimeve kanë mundësi të njihen dhe të shoqërohen sa më shumë me njëri-tjetrin.
Garat në shah janë zhvilluar sipas sistemit zvicerian, pa eliminim por me grumbullim pikësh në 7 xhirot e zhvilluara.
Më 14 mars, në hollin e Rektoratit të UT-së janë zhvilluar 4 xhirot e para, ndërsa sot me 15 mars u zhvilluan edhe 3 xhirot e fundit. Gjatë zhvillimit të ndeshjes, garuesit i vizitoi edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili i përgëzoi për përkrahjen që u japin iniciativave dhe organizimeve studentore.
Pas përfundimit të xhiros së fundit, komisioni për organizimin e kësaj gare i shpalli pikët e grumbulluara për 38 garuesit.
Fitues i kësaj gare, me maksimumin e pikëve të tubuara (7 pikë), u shpall studenti i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Bashkim Luma. Fituesit, kupën e kampionit, bashkë me dhuratën, ia ndau Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Hazir Pollozhani.
Vendin e dytë e fitoi studenti i Fakultetit Juridik, Rinor Ismaili me 5.5 pikë, ndërsa çmimin ia ndau kryetarja e Parlamentit Studentor, Donika Kamberi.
Ndërsa në vendin e tretë u radhit studenti i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Ismet Alla. Këtij të fundit, trofeun e vendit të tretë ia ndau Prodekani për Shkencë i Fakultetit të Kulturës Fizike, Doc. Dr. Haki Ismaili.