Më 7 maj 2025, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, ligjërues në Universitetin e Tetovës, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Disidenca letrare shqipe”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Sesioni i gjuhës dhe i letërsisë. Në këtë konferencë me tematikë të rëndësishme kulturore dhe historike, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani u paraqit me studimin “Disidenca e mohuar e letrave shqipe”, i cili u mirëprit nga studiuesit e pranishëm. Në këtë punim, ai trajtoi çështjen e mungesës së njohjes së plotë të disidencës letrare në hapësirën shqiptare, duke sfiduar qasjet që kufizojnë konceptin e disidencës vetëm në format e saj politike. Duke analizuar mënyrat në të cilat autorët shqiptarë shprehën mospajtim me regjimin përmes mjeteve artistike si alegoria, metafora dhe ironia, studimi vë theksin mbi nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj krijimtarisë letrare të periudhës komuniste. Profesor Sulejmani solli shembuj të veprave që sfiduan kornizat e ngurta të realizmit socialist dhe vlerësoi guximin e autorëve që, në kushte represive, arritën të shprehin qëndrime jo-konformiste.
Duke u mbështetur edhe në qëndrime të studiuesve të huaj dhe vendas, si Rusana Hristova dhe akademik Shaban Sinani, studimi i Prof. Dr. Fatmir Sulejmanit nënvizon rëndësinë e rishikimit kritik të qëndrimeve ndaj letërsisë së asaj kohe dhe njohjen e kontributeve të autorëve që, përmes veprës, shfaqën forma të qarta të disidencës kulturore dhe letrare. Konferenca “Disidenca letrare shqipe” mblodhi studiues dhe ekspertë nga trojet shqiptare dhe jashtë tyre, duke shërbyer si platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe promovimin e studimeve të reja rreth rolit të letërsisë në kontekstet e shtypjes ideologjike.
Në vijim një fragment të shkurtër nga studimi i paraqitur në konferencën e sipërthënë:
Si gjithë letërsitë tjera të bllokut komunist edhe letërsia shqipe ka një listë krijuesish të llojeve të ndryshme të disidencës. Por ne sikur hezitojmë ta pranojmë disidencën e shkrimtarëve tanë, që kurrë nuk i krahasojmë me disidentët e vendeve të tjera të bllokut komunist, edhe pse janë përndjekur e persekutuar njësoj për shkak të shpërfaqjes së mospajtimit të hapur apo të fshehtë me dogmat zhdanoviste, që tkurrën tej mase kornizat e artit dhe të kulturës përgjithësisht.
Studiuesja Rusana Hristova nga Universiteti i Sofjes, thekson “Në kërkim të përgjigjes se cila letërsi e shkruar gjatë regjimit komunist duhet të quhet disidente, mbeti ndërmjet dhënies së përparësisë autorëve të përndjekur e të dënuar dhe të gjithë krijuesve të veprave që mund të rezultonin me pasoja, sepse vija ndarëse ndërmjet tipave të ndryshëm të disidencës ishte shumë e hollë dhe këtë e kuptojnë ata që provuan shijen e hemisferës së kuqe të botës”.
Ky qëndrim mjafton për ta kuptuar se përveç disidencës politike që kundërshton drejtpërsëdrejti ideologjinë sunduese dhe kërkon ndryshimin e sistemit me fjalime publike dhe me protesta, ekzistojnë edhe lloje të tjera disidencash, si disidenca letrare, e cila sfidon regjimin nëpërmjet alegorive, aluzioneve, metaforave dhe mjeteve të tjera që ka në disponim shkrimtari.
Këtë duhet ta dijë çdokush që përkufizon llojet e ndryshme të disidencës, si në shembujt në vijim:
Shembulli i parë: Disidentët e vërtetë duhet kërkuar në shtetet si BRSS, jo në shtetet si Shqipëria komuniste. Kjo, sepse regjimi i BRSS i dëbonte disidentët politikë e letrarë në shtetet tjera, kurse diktatura moniste shqiptare i dënonte me burgje të rënda ose i pushkatonte.
Logjika e këtillë mëton të bindë lexuesit se disidentë të vërtetë janë vetëm ata që marrin dënime më të lehta se pushkatimi?!
Shembulli i dytë: Shkrimtari mund të quhet disident vetëm nëse kritikon qëndrimet e pushtetit dhe ndikon në ndërgjegjësimin e masave për padrejtësitë e një regjimi të egër. Edhe pse vepra letrare është instrumenti më efektiv për zgjerimin e ndikimit në masat e gjëra, disidenca duhet të manifestohet edhe me aksione të tjera kundër pushtetit.
Sipas këtij përkufizimi, për ta quajtur dikë disident letrar u dashka që ai të jetë domosdo edhe disident politik?!
Këso gjykimesh të padrejta vijnë në shprehje sa herë që dikush i quan disidentë letrarë krijuesit jokonformistë, të cilët futen kastile në të njëjtin kallëp me krijuesit mediokër të Realizmit socialist, që zbatuan me përpikëri direktivat e pushtetit monist.
Megjithatë, nuk e mohojnë të gjithë ekzistencën e disidencës letrare në Shqipëri dhe në Kosovë, veçmas atë të krijuesve të veprave si: “Përbindëshi”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Pallati i ëndrrave”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo “Gjarpinjtë e gjakut” , që sfiduan, regjimet e egra, gjë që është vërejtur edhe prej kritikës evropiane.
Për njohësit e diktaturës mbetet i pasqarueshëm guximi i autorëve, të cilët pikërisht në fazën e disiplinimit të artit dhe zbatimit të detyrueshëm të rregullave bazë të Realizmit socialist, vunë në lojë krerët e paaftë të shtetit, të ndërgjegjshëm se mund t’u rrezikohej edhe jeta. Por pavarësisht guximit të shkrimtarëve që lakuriqësuan ideologjinë staliniste, vazhdon relativizmi i disidencës së tyre me arsyetimin se ishin pjesë e realizmit socialist dhe masha të sistemit totalitar, që bie ndesh më qëndrimin e Akademik Shaban Sinanit, i cili në studimin mbi dukuritë atipike të veprës së Dritëro Agollit, mes tjerash thotë: Shkruar në kushtet e një shoqërie rreptësishtë të kontrolluar, për t’u lexuar, si çdo letërsi tjetër, edhe në kushtet e shoqërisë së hapur, letërsia e realizmit socialist nuk mund t’i shmanget pyetjes nëse brenda saj ka njerëz të vërtetë, që zhvillohen në mënyrë të pavarur prej ideologjisë sunduese…