Në ditën e katërt të Shkollës verore “Të rinjtë për sundimin e ligjit” u mbajt ligjërata profesionale e radhës, të cilën para studentëve pjesëmarrës e zhvilloi profesori i Fakultetit Juridik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Faton Shabani.
Në ligjëratën e tij të titulluar “Ndërmjetësimi – Alternativë e suksesshme për zgjidhjen e kontesteve”, Prof. Dr. Faton Shabani foli për metodat e zgjidhjes së kontesteve, të cilat kryesisht përfshijnë gjyqësinë, arbitrazhin, ndërmjetësimin, pajtimin dhe negocimin. Profesori po ashtu tha se, jo të gjitha kontestet përfundojnë me zgjidhje, dhe se nuk ekziston formulë se cila zgjidhje është më e përshtatshme për një situatë konflikti. Po ashtu, ai foli edhe për problemet e gjyqësorit modern dhe përparësitë e metodave për zgjidhjen jashtëgjyqësore.
Gjatë ligjëratës së tij, rëndësi të veçantë i kushtoi zbatimit të ndërmjetësimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Me qëllim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë dhe zgjidhjes më të shpejtë dhe më efikase të kontesteve, Republika e Maqedonisë së Veriut i ka vënë theks të madh zgjidhjes së kontesteve përmes ndërmjetësimit, si një mënyrë më e shpejtë, më efikase dhe më e lirë për zgjidhje. Në kuadër të masave të ndërmarra nga Qeveria është edhe publikimi i Regjistrit të Ndërmjetësuesve të Licencuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Regjistri përmban emrin dhe mbiemrin e ndërmjetësuesit, adresën e vendbanimit, informacionin e kontaktit (numrin e telefonit dhe adresën elektronike e-mail), numrin e licencës, datën e lëshimit të licencës dhe datën e vlefshmërisë së licencës. Në muajin qershor të vitit 2022, lista përmban 46 ndërmjetësues aktivë”, u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Faton Shabani.
Në përmbyllje të kësaj ligjërate, ai para studentëve e prezantoi pjesën e statistikave me të dhënat mbi trendët e shfrytëzimit të ndërmjetësimit në periudhën 2016-2021 në Republikën e Maqedonisë së Veriut (statistikat e përpunuara bazuar në të dhënat e zyrtare të siguruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila e udhëheq dhe Regjistrin e procedurave të ndërmjetësimit). Të dhëna këto që argumentojnë trendët e pranisë së ndërmjetësimit më së shumti në sferën e kontesteve nga marrëdhëniet e punës, kontesteve afariste apo atyre të sigurimeve.
Në agjendën e programit të punës së Shkollës verore 2022, sot u realizua edhe një punëtori e drejtuar nga udhëheqësi i Këndit Amerikan në Tetovë, Mr. Sc. Gëzim Sulejmani. Punëtoria kishte për qëllim nxitjen e studentëve që përmes ideve të tyre të hartojnë një plan për përpilimin e programit të vitit të ardhshëm në lidhje me sundimin e së drejtës.
Gjatë ditës, grupi i studentëve pjesëmarrës në Kodër të Diellit realizuan edhe një vizitë te “Lëndina e Ambasadorëve” ku zhvilluan edhe disa aktivitete rekreative zbavitëse.