Fakulteti i Arteve si pjesë integrale e Universitetit të Tetovës, me programet studimore të Artit Figurativ, Artit Muzikor dhe Artit Dramatik, paraqet themelin e arsimit të lartë në fushën e artit. Gjatë këtyre dekadave të ekzistencës, të gjitha këto programe studimi në kuadër të Fakultetit të Arteve kanë ndërtuar një profil të njohur, kanë zënë një vend të veçantë në të gjithë sistemin arsimor të RMV-së dhe kanë formuar breza të rinjsh të përkushtuar ndaj artit dhe qasjes krijuese në përgjithësi.
Me themelimin e Universitetit të Tetovës më 17 dhjetor 1994, në kuadër të tij u themelua edhe Fakulteti i Arteve. Në vitin 1996/2002 Fakulteti i Arteve u transformua në tri fakultete: Fakulteti i Arteve Figurative, Fakulteti i Arteve Muzikore dhe Fakulteti i Arteve Dramatike. Në vitin 2002/2004, tri fakultetet shkrihen në një fakultet: Fakulteti i Arteve me tri programe studimore: Arti Figurativ, Arti Muzikor dhe Arti Dramatik.
Në vitin 2004 Universiteti i Tetovës nga Bordi i Akreditimit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, zyrtarisht u emërua Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe në kuadër të tij Fakulteti i Shkencave Humane dhe Arteve me dy programe studimore Arti Figurativ dhe Arti Muzikor. Ndërkaq, në vitin 2008 u shndërrua në Fakultetin e Arteve, emër të cilin e mban edhe sot (07.07.2008 është shpallur dita e Fakultetit të Arteve).
Aktualisht janë këto programe studimore në Fakultetin e Arteve:
● Art Figurativ – Pedagogji Figurative
● Art Figurativ – Pikturë
● Art Figurativ – Skulpturë
● Art Figurativ – Grafikë
● Art Figurativ – Dizajn Grafik
● Art Muzikor – Pedagogji Muzikore
● Art Muzikor – drejtimi Muzikologji
● Art Muzikor – drejtimi Solo Këndim
● Art Muzikor – drejtimi Piano
● Art Muzikor – drejtimi Violinë
● Art Muzikor – drejtimi Violë
● Art Muzikor – drejtimi Violonçel
● Art Muzikor – drejtimi Kitarë
● Art Muzikor – drejtimi Flautë
● Art Muzikor – drejtimi Klarinetë
● Art Muzikor – drejtimi Oboa
● Art Muzikor – drejtimi Trubë
● Art Dramatik – drejtimi Aktrim
● Art Dramatik – Regji Teatri
● Art Dramatik – drejtimi Regji Filmi
● Art Dramatik – drejtimi Montazh
● Art Dramatik – drejtimi Produksion
● Art Dramatik – drejtimi Kinematografi
● Art Dramatik – drejtimi Skenar Filmi dhe Dramaturgji
Studimet në Fakultetin e Arteve janë përshtatur me Sistemin e Akumulimit dhe Transferimit të Kredive, i cili është konceptuar në përputhje me rekomandimet dhe kuadrin e përcaktuar të akademive dhe fakulteteve europiane dhe në përputhje me Deklaratën e Bolonjës. Studimet në ciklin e parë në Fakultetin e Arteve zgjasin katër vite akademike (tetë semestra 240 ECTS kredi), kurse studimet e ciklit të dytë zgjasin një vit akademik (dy semestra 60 ECTS kredi). Fakulteti i Arteve merr pjesë aktive në zbatimin e Programit Tempus dhe Erasmus + dhe është në bashkëpunim të vazhdueshëm me universitetet nga i gjithë rajoni. Për pranimin e studentëve të rinj, për shkak të specifikave të drejtimeve, ekzistojnë kushte të caktuara për regjistrim, përkatësisht të drejtë regjistrimi kanë të gjithë ata që kanë përfunduar shkollën e mesme katërvjeçare dhe me sukses e kalojnë provimin pranues.
Që nga themelimi e deri më sot, Fakulteti i Arteve ka pasur statusin e një institucioni lider në fushën e edukimit artistik. Gjatë 27 viteve të ekzistencës së tij kanë marrë pjesë rreth 96 profesorë – artistë të shquar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Në këtë institucion janë diplomuar rreth 656 studentë, ndër të cilët një numër i madh përfaqësuan me sukses vendin me ekspozita, filma, koncerte, shfaqje të rëndësishme teatrale brenda dhe jashtë vendit.
Ashtu si institucionet e tjera të arsimit të lartë edhe Fakulteti i Arteve në Tetovë po përballet me sfidat e epokës moderne. Të gjitha karakteristikat e kohës në të cilën jetojmë pasqyrohen në veprimtarinë e Fakultetit. Është përgjegjësi e mësimdhënësve të Fakultetit që të ofrojnë kurrikula, përmbajtja e të cilave duhet të jetë në harmoni me nevojat e kohës.
Fakulteti i ArteveBesar Huseini2025-02-05T11:59:33+02:00
Raport i vetëvaluimit – për të shkarkuar dokumentin kliko këtu. (Përditësuar: Prill 2024)