Në Universitetin e Tetovës, më 30 tetor 2018, Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë në bashkëpunim me Shërbimin për Shkëmbim Akademik Gjerman, DAAD (Deutscher Akademischer Austauschdienst), realizuan prezantimin e bursave gjermane për vitin akademik 2018/2019. Përfaqësuesja e DAAD-it, Meike Graeser, fillimisht zhvilloi një takim me Prorektorin për Shkencë të Universitetit tonë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, dhe më pas para studentëve dhe profesorëve bëri prezantimin e disa kategorive të bursave. Sipas saj, Shërbimi për Shkëmbim Akademik Gjerman, (DAAD) këtë vit, do të ndajë bursa hulumtuese për doktorantë dhe shkencëtarë të rinj, si dhe do të organizojë qëndrim hulumtues për profesorë universitarë dhe shkencëtarë në universitetet e Gjermanisë. Veç kësaj, do të jepen bursa për studime pasuniversitare nga të gjitha fushat shkencore, përfshirë këtu edhe bursat për studime pasuniversitare dhe të doktoraturës DAAD/OSI, si dhe bursa verore universitare për kurse të gjuhës për studentë. Po ashtu zonja Meike Graeser tha se është paraparë që të organizohet edhe praktikë për studentët e huaj, të ketë vizita dhe seminare për grupe studentësh, si dhe do të ketë edhe ftesa për ish-bursistët e DAAD-it.
Drejtuesi i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë në Universitetin e Tetovës, Shaban Arsllani, apeloi deri tek profesorët dhe studentët që të aplikojnë për këto bursa pasi që janë mjaft të rëndësishme dhe shumë të nevojshme për ta. Ai tha se qendra për karrierë gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në shërbim të studentëve duke ua lehtësuar atyre të gjitha procedurat për aplikim dhe duke i pajisur me informata shtesë kandidatët e interesuar.
Rreth afateve për aplikim dhe informatave më të detajuara të gjithë të interesuarit mund të vizitojnë edhe faqet zyrtare të DAAD-it, si: http://www.daad.de/stipendien dhe http://www.daadskopje.blogspot.com