Ligjërata trajtoi sfidat e përkthimit në kohën e inteligjencës artificiale, me theks në ruajtjen e natyrshmërisë së shqipes dhe rolin e pazëvendësueshëm të përkthyesit.
Me ftesë të Degës së Gjuhësisë të Institutit Albanologjik në Prishtinë, në kuadër të programit “Leksione albanologjike”, profesori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani mbajti ligjëratën me titull “Gjuha shqipe në përkthimet bashkëkohore: teori, praktikë dhe sfida”.
Në këtë ligjëratë ai trajtoi çështje që lidhen me teorinë dhe praktikën e përkthimit, duke theksuar ruajtjen e natyrshmërisë së shqipes dhe përdorimin e saj sipas sistemit të vet gjuhësor. Ai theksoi se përkthimi është një nga mundimet më të mëdha të njerëzimit, duke nënvizuar kompleksitetin dhe përgjegjësinë që mbart ky proces.
Ndër vështirësitë më të mëdha të përkthimit, ai veçoi proverbat, për shkak të ngarkesës së tyre kulturore dhe figurative, që e vështirëson bartjen e tyre nga një gjuhë në tjetrën.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në fushën e inteligjencës artificiale, ai theksoi se përkthimi me makinë përfshin mjete të ndryshme (si Google Translate), si dhe modele të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, edhe në versionet më të avancuara, kur përdoren për këtë qëllim. Megjithatë, u nënvizua se këto mjete funksionojnë më mirë në gjuhë me më shumë materiale gjuhësore dhe në tekste me strukturë të thjeshtë, ndërsa në tekste stilistikisht më të ndërlikuara rezultatet mbeten të kufizuara. Përkthimi me makinë mund të shërbejë si bazë fillestare, por kërkon ndërhyrje të domosdoshme të përkthyesit, ndërsa qasjet bashkëkohore mbështeten në modele hibride, ku teknologjia shërben si ndihmë dhe përkthyesi siguron cilësinë përfundimtare të tekstit.
Ligjërata u ndoq me interes nga studiues, studentë dhe dashamirës të gjuhës, duke u shoqëruar me diskutime mbi sfidat aktuale të përkthimit dhe përdorimit të shqipes në hapësirën publike.
“Përkthimi mund të ndihmohet nga teknologjia, por nuk mund të zëvendësohet plotësisht nga ajo,” theksoi Prof. Dr. Berton Sulejmani gjatë ligjëratës.
Pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe në avancimin e studimeve albanologjike.







