Një delegacion i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekania Prof. Dr. Emine Shabani,  në periudhën 28 prill – 2 maj 2026, realizuan një vizitë studimore në Kalabri të Italisë.

Gjatë këtij udhëtimi studimor, profesorët: Prof. Dr. Emine Shabani, Prof. Dr. Esmije Veseli, Prof. Dr. Hana Dardhishta, Doc. Dr. Vjollcë Berisha, Mr. Sc. Kaltrina Sadiki- Memeti, Mr. Sc.Fatmire Isaki, Prof. Dr. Fatbardha Doko, Prof. Dr. Lulzime Kamberi, Prof. Dr. Arlind Farizi dhe Prof. Dr. Agim Shabani i vizituan disa qendra arbëreshe, si: Shën Mitri, Shën Gjergji, Kozenca, Bari, si dhe vende tjera e institucione me rëndësi të veçantë arsimore, kulturore dhe historike.

Delegacioni i Universitetit të Tetovës u prit nga personalitete të njohura, ndër të cilët: Tomaso Belushi, vëllai i Antoni Belushit; profesori Françesko Perri; ish-kryetari i qytetit të Vaccaricës, i cili ndau informacione të rëndësishme mbi vendbanimet arbëreshe, historinë dhe vendosjen e tyre; historiani Damiano Guagliardi; si dhe Genaro De Çiko – gazetar, poet dhe profesor. Po ashtu, delegacioni u mirëprit edhe nga Francesco Marchianò, Rossana Nociti – nënkryetare e qytetit Spezzano Albanese, si dhe Maria Galizia dhe Maria Teresa Camodeca, kuratore të muzeut arkeologjik.

Filologët e Universitetit të Tetovës e përshkruan këtë vizitë si një përjetim të veçantë emocional dhe një mundësi të çmuar për të përfituar njohuri të reja mbi jetën dhe trashëgiminë e pasur të arbëreshëve të Italisë. Në ato vende, ku nata duket se flet me zë të ulët, si mijëra net arbëreshe, çdo përjetim merr trajtë vargu, çdo kujtim bëhet dritë.

Sytë e kësaj bote të lashtë duken si dy galaktika të palodhura, ku yjet digjen pa u shuar, duke lënë xixa drite për kohë më të mira të lirikës. Janë si vargje të pashkruara, që nata i lexon qetësisht, ndërsa në thellësinë e tyre rrjedh një lumë i padukshëm kujtese, që bart me vete kohën, emrin dhe historinë.

Në këtë hapësirë, ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren natyrshëm, çdo shikim bëhet një urë mes botëve, harqe të heshtura që nuk plagosin, por prekin thellë shpirtin. Metaforat marrin frymë, bëhen jetë, dhe njeriu shpërbëhet në kuptime të reja, në një gjuhë që ngjan me atë të vjetër arbëreshe – të koduar, të thellë, por të gjallë.

Kjo përvojë nuk ishte vetëm një udhëtim studimor, por edhe një takim i thellë me shpirtin arbëresh, një botë që jeton mes historisë, kujtesës dhe poezisë.