Në Universitetin e Tetovës më 20 maj 2026, u hapën solemnisht punimet e Kongresit Shkencor Ndërkombëtar Nga hulumtimi në aplikim”, (“From Research to Application”), një ngjarje e rëndësishme shkencore dhe akademike ku morën pjesë studiues, profesorë dhe ekspertë të njohur nga vendi e më gjerë.

Kongresi përbën një platformë multidisiplinare dhe përfshin fusha të ndryshme të dijes, duke filluar nga shkencat mjekësore, shkencat matematike-natyrore dhe teknologjia, e deri te shkencat e aplikuara, teknologjia ushqimore, bujqësia, bioteknologjia dhe kultura fizike, me synim ndërlidhjen e kërkimit shkencor me zbatimin praktik të dijes në funksion të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik.

Ceremonia solemne u mbajt në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, ku Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, theksoi rëndësinë e avancimit të kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimit të universitetit dhe krijimit të urave të bashkëpunimit në funksion të prodhimit të dijes dhe aplikimit të saj në praktikë. Në mesazhin e tij, ai potencoi se ky kongres përfaqëson një platformë serioze akademike dhe shkencore, ku bashkohen idetë, përvojat dhe rezultatet e hulumtimeve bashkëkohore, me qëllim që shkenca të mos mbetet vetëm në teori, por të shndërrohet në vlerë konkrete për shoqërinë, institucionet dhe zhvillimin e përgjithshëm. “Tema e këtij kongresi është jashtëzakonisht domethënëse dhe aktuale. Ajo pasqyron nevojën që universitetet moderne të jenë jo vetëm qendra të transmetimit të dijes, por edhe institucione që prodhojnë inovacion, ide të reja dhe zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballet shoqëria moderne. Sot, bota po përballet me transformime të mëdha teknologjike, ekonomike, shëndetësore dhe sociale. Në një realitet të tillë, roli i universiteteve bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse pikërisht universitetet janë vendi ku lind mendimi kritik, zhvillohet kërkimi shkencor dhe ndërtohen kapacitetet profesionale për të ardhmen. Universiteti i Tetovës mbetet  i përkushtuar në këtë mision. Ne vazhdojmë të investojmë në ndërkombëtarizim, në përmirësimin e cilësisë akademike, në zhvillimin e laboratorëve, në mbështetjen e studiuesve të rinj dhe në forcimin e bashkëpunimeve me universitete dhe institucione prestigjioze nga rajoni dhe më gjerë. Jam veçanërisht i lumtur që ky kongres përfshin një gamë të gjerë disiplinash shkencore, duke filluar nga shkencat natyrore dhe matematike, shkencat mjekësore, teknologjia ushqimore dhe ushqyerja, bioteknologjia dhe bujqësia, deri te shkencat e aplikuara dhe shkencat sportive. Kjo dëshmon qartë se zhvillimi shkencor sot kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor dhe një qasje të integruar ndaj problemeve dhe sfidave moderne”, deklaroi Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Në vijim të ceremonisë solemne të pranishmëve iu drejtua Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti: “Nëse historia e mendimit njerëzor do të mund të përmblidhej në një fjali të vetme, ajo ndoshta do të ishte kjo: njeriu është qenie që nuk pushon së pyeturi. Dhe pikërisht në këtë pyetje të pandalshme, në këtë pakënaqësi dhe në këtë etje për kuptim, lind shkenca. Që nga antikiteti, mendimi filozofik ka jetuar në tensionin mes dy botëve: asaj që është dhe asaj që mund të jetë. Platoni e vendosi të vërtetën përtej hijes, Aristoteli e kërkoi në strukturën e botës së dukshme; por të dy, në mënyra të ndryshme, na lanë trashëgiminë e një ideje thelbësore: se dija nuk është kurrë e mbyllur, por gjithmonë në hapje. Moderniteti e thelloi këtë hapje, duke e kthyer njeriun në jo vetëm vëzhgues të botës, por edhe bashkëkrijues të saj. Në këtë kuptim, shkenca nuk është vetëm pasqyrim i realitetit, por një mënyrë për ta formësuar atë, ndërkaq universiteti, si hapësira më e lartë e kësaj ndërmarrjeje, është vendi ku pyetja njerëzore merr formë. Në këtë horizont mendimi, në universitete si  institucione akademike, kjo pyetje vazhdon të jetojë. Sepse aty ku pyetja pushon, fillon dogma dhe aty ku fillon dogma, përfundon mendimi dhe kur përfundon mendimi shuhet shkenca. Universiteti, në thelbin e tij, është mbrojtja e pyetjes nga mbyllja. Prandaj, edhe sot, mbeten thellësisht aktuale tre pyetjet kantiane: Ç’mund të di? Ç’duhet të bëj? Ç’mund të shpresoj?  Këto nuk janë vetëm pyetje të filozofisë; ato janë strukturat e padukshme të çdo institucioni të dijes. Në tri dekada të Universitetit të Tetovës, këto pyetje nuk kanë marrë një përgjigje të vetme, por mijëra trajta përgjigjesh, të shkruara në kërkime, botime dhe në vetë jetën akademike të këtij institucioni. Universiteti i Tetovës është bërë hapësirë ku mendimi nuk kufizohet, hapësira ku nuk ka hipotezë që nuk mund të ngritët dhe ku nuk ka debat që nuk mund të bëhet. Në këtë hapësirë, shoqëria shqiptare ka reflektuar mbi vetveten, duke e kthyer universitetin në një laborator të vazhdueshëm të kuptimit”.

Duke folur për rëndësinë e kongresit, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti para studiuesve u shpreh:  “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot, në emër të Universitetit të Tetovës dhe në cilësinë e Prorektorit për Shkencë, t’ju përshëndes në Kongresin Ndërkombëtar “From Research to Application”, një aktivitet akademik dhe shkencor që përfaqëson një platformë reale bashkëpunimi, inovacioni dhe komunikimi ndërmjet kërkimit shkencor dhe aplikimit praktik të dijes. Tema “From Research to Application” është pikërisht ura që lidh dy skaje të së njëjtës ekzistencë: mendimin dhe jetën. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët dhe bashkorganizatorët që e kanë bërë të mundur këtë kongres, duke krijuar një hapësirë ku dija nuk qëndron e izoluar, por qarkullon, ndërvepron dhe bëhet e përbashkët. Një falënderim i veçantë shkon për folësin kryesor të ceremonisë së hapjes, Prof. Dr. Artur Xhumari, si dhe për të gjithë ligjëruesit e sesioneve plenare, të cilët me mendimin dhe përvojën e tyre e pasurojnë këtë hapësirë akademike. Në këtë kongres, ku bashkohen disiplina të ndryshme – nga shkencat natyrore dhe matematika, te mjekësia, teknologjia, bujqësia, shkencat e aplikuara dhe kulturës fizike, ne shohim një të vërtetë të thjeshtë por thelbësore: realiteti nuk njeh ndarje, ndërsa ne e kuptojmë atë vetëm përmes bashkimit të dijeve”.

Në përmbyllje të fjalës së tij ai u ndal edhe te sfidat globale të viteve të fundit. “Çdo epokë e historisë ka pasur krizën e saj të së vërtetës megjithatë epokat nuk përcaktohen nga krizat, por nga mënyra se si u përgjigjen atyre. Përgjigjja më e thellë që një shoqëri mund të japë është investimi në dije, në kërkim dhe në mendim kritik. Zhvillimet e fundit nga pandemia globale e këtej, na kanë kujtuar në mënyrë të pamëshirshme se sa e brishtë është jeta shoqërore kur ndahet nga shkenca dhe sa e rrezikshme është padija kur merr vendime në vend të dijes. Ato na kanë treguar se shkenca nuk është luks i kohëve të qeta, por infrastrukturë e mbijetesës kolektive. Sot, në një botë të shënuar nga inteligjenca artificiale, nga luftërat hibride dhe nga tensionet gjeopolitike, përgjegjësia e universiteteve dhe akademive bëhet edhe më e madhe. Sepse aty ku rritet pasiguria, rritet edhe nevoja për mendim të thellë, për dije të pavarur dhe për arsyetim kritik. Prandaj, mbështetja për shkencën nuk është thjesht politikë zhvillimi; ajo është një formë e përgjegjësisë qytetare dhe historike. Një shoqëri që nuk investon në dije, në të vërtetë, heq dorë nga e ardhmja e saj. Duke e ruajtur habinë përballë botës dhe duke mos e humbur kurrë dyshimin si metodë, ne vazhdojmë rrugën e kërkimit jo për të mbyllur pyetjet, por për t’i mbajtur ato të hapura sepse pikërisht aty, në hapjen e pyetjes, fillon e ardhmja e dijes”, tha mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në kuadër të hapjes solemne, folësi kryesor i kongresit, Prof. Dr. Artur Xhumari, mbajti ligjëratën e tij para pjesëmarrësve, ku trajtoi çështje që ndërlidhen me zhvillimin e kërkimit shkencor, sfidat, rëndësinë e transformimit të rezultateve hulumtuese në zgjidhje konkrete dhe të zbatueshme në praktikë.

Programi i kongresit vijoi me dy seanca plenare paralele, ku profesorë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë trajtuan tema aktuale nga fusha të ndryshme shkencore dhe teknologjike. Në këto seanca plenare u prezantuan qasje bashkëkohore mbi zhvillimet më të fundit në shkencë, inovacion, teknologji dhe aplikimin praktik të rezultateve hulumtuese, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për debat dhe shkëmbim përvojash ndërmjet studiuesve.

Gjatë kongresit u realizuan sesionet paralele, ku u prezantuan gjithsej 138 punime shkencore, pjesa dërmuese nga lëmi i mjekësisë, me tema që trajtuan shëndetin publik, farmaceutikën, diagnostikën moderne, biomarkerët, kirurgjinë, neurologjinë, stomatologjinë dhe rastet klinike, duke përfshirë edhe trajtime që lidhen me inteligjencën artificiale në mjekësi, rezistencën ndaj antibiotikëve dhe qasjet bashkëkohore terapeutike. Në kuadër të shkencave matematiko-natyrore u trajtuan tema që ndërlidhen me inteligjencën artificiale, modelimin matematikor, sigurinë e të dhënave, aplikacionet mobile dhe teknologjitë bashkëkohore, ndërsa sesionet e shkencave të aplikuara u fokusuan në infrastrukturë, urbanizëm, energji, automatizim industrial, transformim digjital dhe zhvillim të qëndrueshëm. Po ashtu, një vend të rëndësishëm në program zuri edhe fusha e teknologjisë ushqimore, ushqimit, bujqësisë dhe bioteknologjisë, ku u diskutua për sigurinë ushqimore, cilësinë e produkteve dhe inovacionet në sektorin agro-ushqimor. Në përfundim të secilit sesion u zhvilluan diskutime të përbashkëta dhe debate shkencore ndërmjet pjesëmarrësve.

Në këtë kongres, më 20 dhe 21 maj 2026, u organizuan edhe punëtori profesionale, të cilat e pasuruan dimensionin praktik të kësaj ngjarjeje. Kongresi “Nga hulumtimi në zbatim” nga kërkuesit shkencorë u vlerësua si një tribunë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, krijimin e partneriteteve të reja dhe avancimin e kërkimit shkencor në funksion të progresit shoqëror.