//Në UT u debatua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të larta arsimore dhe organizatave joqeveritare në rritjen e numrit të mobiliteteve të studentëve me nevoja të posaçme

Në UT u debatua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të larta arsimore dhe organizatave joqeveritare në rritjen e numrit të mobiliteteve të studentëve me nevoja të posaçme

2018-11-20T12:28:54+00:00 Shtator 18, 2018|
Agjencioni nacional për programe evropiane arsimore dhe mobilitet, sot, në hapësirat e Universitetit të Tetovës organizoi një tryezë të rrumbullakët më temë “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të larta arsimore dhe organizatave joqeveritare në rritjen e numrit të mobiliteteve të studentëve me nevoja të posaçme dhe me më pak mundësi”.
Sipas Astrit Rexhepit, përfaqësuesit të Agjencionit nacional për programe evropiane arsimore dhe mobilitet, i vetmi qëllim i kësaj tryeze të rrumbullakët ka qenë që të ngritet numri i mobiliteteve të studentëve, të cilët janë në programin Erasmus +. “ Si rezultat i kësaj ngjarjeje duhet që në të ardhmen të rritet numri i studentëve, të cilët janë me nevoja të posaçme dhe me më pak mundësi që të jenë pjesë e mobiliteteve të Erasmus + “ – tha Astrit Rexhepi.
Nga ana tjetër Prof. Dr. Buniamin Memedi, Prodekan për Arsim në Fakultetin Pedagogjik, e përshëndeti këtë iniciativë për bashkëpunimin ndërmjet organizatave joqeveritare dhe Universitetit tonë edhe pse si praktikë ajo ka ekzistuar gjithmonë. “Ne gjithmonë e kemi aplikuar këtë, sidomos me studentët e edukimit special, por jo vetëm. Ne kemi pasur studentë që kanë bashkëpunuar me organizatat joqeveritare, por edhe që kanë qenë pjesë e programit Erasmus +. Me këtë vetëm se përforcohet një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe mirëbesim i praktikave të mira”, theksoi Prof.Dr. Buniamin Memedi.
Panelistët e kësaj tryeze të rrumbullakët diskutuan edhe për rolin e institucioneve të larta arsimore në rritjen e numrit të mobiliteteve për këtë kategori studentësh.